Familja nga Fushë-Kruja: Jemi të bllokuar nga uji, nuk na evakuojnë

Një familje në Fushë-Krujë ka bërë apel, duke kërkuar ndihmë nga autoritetet që të evakuohen, por askush nuk ka shkuar. Bëhet fjalë për familjen e Pal Gjergji me 6 anëtarë në fshatin Luz të Fushë-Krujës, banesa e të cilit është përmbytur nga uji që prej ditës së enjte. Në banesë ndodhen edhe tre fëmijët, të cilët janë të detyruar të durojnë të ftohtin dhe lagështirën.
Kryefamiljari tha se, ka telefonuar gjatë ditës së enjte disa herë autoritetet lokale dhe askush nuk ka shkuar në ndihmë të tyre. Banesa e tij është përmbytur e tëra dhe është e pamundur që të largohet për shkak të rrugëve të bllokuara. “Kemi kërkuar ndihmë nga shteti, por askush nuk na është përgjigjur. Kemi telefonuar në Bashki, kemi telefonuar policinë, por askush nuk erdhi për të në nxjerrë nga shtëpia. Jemi rrethuar nga uji dhe kemi mbetur brenda. Fëmijët ndodhen në gjendje të rëndë. I bëjmë apel qeverisë që të na ndihmojë”, shprehet kryefamiljari Pal Gjergji në fshatin Luz të Fushë-Krujës.

I moshuari: “S’më ka mbetur më asgjë”

Bagëti të ngordhura, mobilie e orendi shtëpiake jashtë funksionit, në fshatin Hasan të Fushë-Krujës banorët kanë humbur çdo gjë. Banorët shprehen se janë zënë në befasi nga vërshimi i ujit pas orës dymbëdhjetë të natës. Ata tregojnë momentet e tmerrit që kanë kaluar dhe se si humbën gjithçka kishin ndërtuar me mund në pak minuta.
Bashkim Gjoka, një banor i fshatit, hap dyert e shtëpisë së tij dhe ngre duart nga qielli, duke lënë pamjet të flasin vetë. “Më erdhi si bombë, 72 vjeç burrë si mbrëmë s’më ka rastisur ndonjëherë. Na ka ardhur një metër ujë. Nuk më ka mbetur asnjë send me jetu. Frigorifer, lavatriçe, divane, bufe, karrige, nuk kam më asgjë. Unë dorëzohem, si mbrëmë s’më ka bërë vaki”, thotë ai.
Situatë e rënduar nga reshjet në Kurbin. Sipas raportimeve nga terreni, mësohet se qindra hektarë tokë janë përmbytur në fshatin Gotull. Përmbytjet kanë shkaktuar ngordhjen e bagëtive që nuk janë larguar nga zona. Po kështu bëhet e ditur, se nga reshjet është shembur një urë që lidhte fshatin Gotull me qendrën e Kurbinit, duke izoluar banorët. Sipas tyre, gjendja është e jashtëzakonshme dhe kanë bërë thirrje për ndihmë.

Shembet një tjetër urë në Krujë, uji merr çdo gjë përpara

Pas urës së Drosë, një tjetër urë është shembur në aksin Krujë-Qafë Shtamë. Shkak i shembjes së kësaj ure janë bërë reshjet e dendura të shiut, si dhe rrëshkitja e dherave. Duhet të theksojmë faktin se kjo urë lidhte 5 fshatra. Ura është shkatërruar plotësisht, duke izoluar kështu zonën përreth. Kjo është e vetmja rrugë që të çon në Qafë Shtamë, ku është fabrika e ujit, kampi i punëtorëve dhe tre fshatra, të cilët kanë mbetur tërësisht të izoluar. Rruga dhe ura janë inauguruar në dhjetor 2014, tre vite më parë, por nuk i rezistuan dot vërshimit të një përroi.
Sitauta është rënduar së tepërmi edhe në Valias në Bashkinë e Kamzës. Me dhjetëra banorë janë përmbytur, duke humbur gjithçka, duke përfshirë edhe bagëtitë. Një banor nxjerr nga stalla bagëtitë e mbytura nga vërshimi i ujit gjatë natës. Banori i revoltuar me një dele të ngordhur në dorë, i drejtohet kryeministrit duke kërkuar ndihmë: Shiko o Edi Rama, o shtet. “Shikoni çfarë na ndodhi. Ja 20 copë, kjo është buka e fëmijëve”, thotë banori. Shumë dele e qengja të ngordhur që duhen hequr nga këto zona, pasi bëhen burim infeksionesh.

Exit mobile version