Nga Frank Shkreli
Ish-Drejtor i VOA për Euro-Azinë
Ndryshe nga studentët e sotëm shqiptarë në Universitetin Harvard, që po organizojnë të shtunën që vjen promovimin e vëllimit të parë të Ilir Ikonomit mbi jetën dhe veprimtarinë e Fan Nolit, “Në atë kohë (Noli) jetonte me rrogën që i jepte Kisha Shqipe, rreth 60 dollarë në muaj (rreth 2000 dollarë sot) dhe me borxhe që merrte nga Kisha dhe nga miqtë. Universiteti i dha një kredi vitin e parë, pastaj u kualifikua për bursë. Kredinë nuk e ktheu kurrë dhe mund të thuhet se e bëri universitetin falas”, shkruan ndër të tjera Ikonomi.
Në një njoftim të Shoqatës së Studentëve Shqiptarë të Universitetit Harvard, i njohur në Shtetet e Bashkuara por edhe me famë botërore për vlerat akademike, thuhet se me rastin e 59-vjetorit të ndarjes nga jeta të Fan S. Nolit, Dega Boston e Federatës Pan-Shqiptare Vatra së bashku me Shoqatën e Studentëve Shqiptarë të Harvardit organizojnë promovimin e Librit më të fundit, “Fan Noli- Apostulli”, të autorit Ilir Ikonomi, tanimë të mirënjohur për lexuesit shqiptarë kudo, ish gazetarit dhe kolegut tim në Zërin e Amerikës. Një rast ky shumë i mirë për tu paraqitur studentëve shqiptaro-amerikanë – shqiptaro-amerikanin më të njohur të shekullit të kaluar, së bashku me Faik Konicën – edhe si një frymëzim dhe shembëll për brezin më të ri të studentëve shqiptaro-amerikanë të Harvardit sot.
Paraqitja e librit më të ri të Ilirit do të bëhet ditën e shtunë, me 16 mars, 2024 nga ora 12PM deri në 2PM. Në ftesë komunikohet se ky tubim do mbahet në hapësirën e Harvardit e quajtur Boylston Hall, 103 Harvard Yard, Cambridge, MA 02138.
Kështuqë, në 59-vjetorin e kalimit të tij në amshim, apostulli i shqiptarizmës dhe i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare, Fan Noli me veprën e autorit Ilir Ikonomi “rikthehet” të shtunën që vjen, në Universitetin Harvard, pikërisht, aty ku kishte studiuar, nga 1909-1912, Fan S. Noli.
“Emzot Noli nji ndër njerzit ma të mëdhej që ka gjinikue fisi arbnuer. Poet, letrar, fletorar, diplomat, themelues i Kishës Autoqefale Orthodokse Shqiptare. Ai radhitet në rendin e breznis vigane të Rilindjes së kombit, për të cilën u përpoq sa mujt me vepër e shkrim”, do të shkruante Ernest Koliqi, në revistën Shëjzat, me rastin e kalimit në amshim të Nolit me 13 mars, 1965. (Frank SHKRELI/ Fan Noli, diplomati që përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare | Gazeta Telegraf).
Duke njoftuar promovimin e radhës të librit të tij më të fundit, autori Ilir Ikonomi shkruan në faqen e tij “facebook”, se kushtet e rrethanat, nën të cilat ai frekuentonte studimet në Harvard, nuk ishin aspak të lehta, por mjaft sfiduese. Ndryshe nga studentët e sotëm shqiptarë në Universitetin Harvard, që po organizojnë të shtunën që vjen promovimin e vëllimit të parë të Ilir Ikonomit mbi jetën dhe veprimtarinë e Fan Nolit, “Në atë kohë (Noli) jetonte me rrogën që i jepte Kisha Shqipe, rreth 60 dollarë në muaj (rreth 2000 dollarë sot) dhe me borxhe që merrte nga Kisha dhe nga miqtë. Universiteti i dha një kredi vitin e parë, pastaj u kualifikua për bursë. Kredinë nuk e ktheu kurrë dhe mund të thuhet se e bëri universitetin falas”, shkruan ndër të tjera Ikonomi.
Natyrisht se për nga përgatitjet akademike dhe të dijes, përfshirë njohurinë e një numër gjuhësh të huaja, Fan Noli qëndronte shumë më lart në krahasim me studentët e tjerë të kurseve të ndryshme universitare. Ikonomi shkruan se Noli është diplomuar me 20 qershor, 1912 me gradën “Bachelor of Arts”, me vlerësimin më të lartë, “cum Laude”. Ikonomi sjell, ndër të tjera, një fakt interesant duke shkruar se në të njëjtën ditë, të diplomimit të Nolit edhe Faik Konica mori gradën “Master of Arts”, në fushën e gjuhëve romane, në një ceremoni të përbashkët me Nolin dhe dhjetëra studentë të tjerë, atë ditë qershori të vitit 1912 në hapësirat e “Sanders Theatre”, shumë afër sallës ku do bëhet promovimi këtë të shtunë, i librit: Fan Noli-Apostulli, shënon autori, Ilir Ikonomi.
Jam i bindur se ky “takim”, i një brezi të ri studentësh shqiptaro-amerikanë, do të jetë një përvojë e paharrueshme për ta, ndonëse do të mësojnë shumë fakte mbi jetën dhe veprimtarinë e një shquptaro-amerikane që e filloi jetën si sudent, pikërisht aty në Harvard, më shumë se një shekull më parë.
Me leximin e librit të Ilir Ikonomit mbi Fan Nolin, brezit të ri të studentëve shqiptarë të Harvardit, në atë institucion të dijes me famë botërore por edhe të gjithë lexuesve, autori Ilir Ikonomi u paraqet “Nolin e pafiltruar”. “Ndonëse, e vërteta është e komplikuar dhe e dhimbshme”, autori shprehet se, vëllimi i parë: Fan Noli -Apostulli, do ta njohë lexuesin me Nolin e vërtetë: “Me pasionet, ambiciet, egon, rrëmbimet, oratorinë, inatet dhe cilësitë e tjera që nuk kanë vdekëtarët e kësaj bote”. Të bazuara në fakte dhe dokumentacione, me shpresën për të “shuar dyshimet për subjektivizëm”, me qëllim gjithashtu “që filmi të jetë i plotë dhe i paprerë”, i saktë mbi jetën dhe veprimtarinë e njërit prej patriotëve më të flakët të Kombit, brenda dhe jasht trojeve shqiptare.
Promovimet e deritanishme të librit, Fan Noli -Apostulli, të autorit Ilir Ikonomi, si në trojet shqiptare ashtu edhe në mërgatë, janë dëshmi se ky botim, ashtu si edhe veprat e tjera të këtij autori është një botim për t’u shënuar në mënyrë të veçantë. Është një kontribut i shënueshëm që autori i sjell historiografisë shqiptare por që, njëkohësisht, kryen edhe një detyrë ndaj vet Fan Nolit, bazuar në fakte e dokumentacion, që dëshmojnë edhe për një periudhë plot lëvizje politike, mendore dhe shoqërore ndër shqiptarët në trojet e veta por edhe këtu në komunitetin e vjetër shqiptaro-amerikan, fillim shekullin e kaluar me plot të dhëna të panjohura deri më tani.
Një konsideratë e thellë për veprën e madhe të Fan Nolit në shërbim të Shqipërisë dhe Kombit shqiptar. Këtë ia detyrojmë pendës a po më mirë të themi kompjuterit të ish-gazetarit të Zërit të Amerikës, të palodhurit, Ilir Ikonomi.
Marrë nga gazeta “Telegraf”