Ayrel PLASARI
Shënim në FB për një fantazi politike
Nga pikëpamja historike dhe ajo gjeografike rajoni që është quajtur turqisht “Ballkan” (Europa juglindore) përfshin Bosnjën dhe Hercegovinën, Bullgarinë, Greqinë, Kosovën, Kroacinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Slloveninë dhe Shqipërinë; tekstet standarde përfshijnë edhe Rumaninë, e cila teknikisht e refuzon emërtesën “Ballkan”, por pranon përkatësinë në “Europën juglindore”.
Sipërfaqja e përgjithshme e Ballkanit jepet në standard si 666,700 km2, ndërsa popullsia si 59.297.000 (statistikat pas vitit 2000).
Të përllogarisim pak se ç’përfaqëson “Ballkani i hapur” si fantazi politike e tre kryeministrave, atij të Maqedonisë së Veriut, atij të Serbisë dhe këtij të Shqipërisë, në ballafaqim me realitetet historike dhe gjeografike të Ballkanit.
Sipërfaqja e përbashkët e Maqedonisë së Veriut (25.713 km2), Serbisë (88.361 km2) dhe Shqipërisë (28.748 km2) nuk është më shumë se 142.822 km2. Çfarë entiteti përbën ky i tre kryeministrave përkundrejt Ballkanit real prej 666,700 km2, për të pretenduar që ata ta quajnë “Ballkan i hapur”? Në fakt është vetëm ¼ për të mos thënë 1/5 e Ballkanit real. Hapje e Ballkanit është kjo apo e kundërta, mbyllje në një strofull e tri vendeve të shkëputura nga pjesa tjetër e rajonit?
Popullsia e përbashkët e Maqedonisë së Veriut (2.059.000 banorë), Serbisë (7.001.444 banorë) dhe Shqipërisë (2.845.955 banorë) rezulton 11.907.399 banorë. Edhe në këtë vështrim çfarë entiteti përbën ky i tre kryeministrave përkundrejt Ballkanit real me 59.297.000 banorë për të pretenduar që ata ta quajnë “Ballkan i hapur”? Në fakt përfaqëson vetëm 1/5 të Ballkanit real. Hapje e Ballkanit është kjo apo përsëri e kundërta, d.m.th. mbyllje në një strofull tri vendesh të shkëputura nga pjesa tjetër e rajonit?
Meqë tre kryeministrat duken të andrallosur për t’ia ndryshuar nofkën hera-herës fantazisë së tyre politike, nuk ka përse të mos e pranojnë çiltër e ta quajnë “Çerek tave Ballkan”. Sa pa gjë, edhe çerekllëku hahet.