Farsa e Ramës me drogën tani që ka mbaruar korrja

Tonelatat me farë kanabisi janë depozituar që në dhjetor të vitit të kaluar për t’u mbjellë më pas. Për të filluar aksione të tilla është ende herët, pasi ata që merren me këtë punë e dinë se mbjellja fillon diku nga fillimi i prillit dhe zgjat përgjatë gjithë verës. Fara është vietnameze, dhe kërkon përqendrim të lartë diell, ndërsa tani rrezikohet nga luhatjet e motit
Prilli dhe maji janë koha kur fillohet me mbjelljen e tij. Por dhe në rast se është farë gjashtë mujorëshe, që korret zakonisht në shtator tetor sërish kërkon muajt mars prill për t’u mbjellë. Aksionet e tanishme të policisë së Ramës janë vetëm një farsë. Qeveria, policia dhe aeroportet e ushtrisë u njehsuan me trafikantët e drogës përgjatë vitit të kaluar. Droga mbillej, kultivohej dhe korrej në sy të policisë dhe asnjëherë policia nuk e luftoi këtë fenomen sepse ai kishte mbështetjen e Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm.
Edi Rama vendos të përdorë ushtrinë në luftën sipas tij kundër kanabisit siç ndodh rëndom në Kolumbi apo Afganistan, ndërkohë që përgjatë gjithë vitit 2016 e ka mohuar problemin e kanabisit si fenomen. Madje njeriu që shkarkoi dhe Ylli Manjanin, ish-ministrin e Drejtësisë pikërisht për këtë deklaratë, ka deklaruar se ka asgjësuar mbi 98% të fushave me kanabis, shpesh duke u bërë dhe qesherak përpara fakteve që shohim çdo ditë. “Të gjitha shërbimet inteligjente do ta mbështesin policinë shqiptare. Jo vetëm Shërbimi Inteligjent Shtetëror, por edhe Shërbimet Inteligjente të Ushtrisë do të përfshihen në parandalimin e kultivimit të parcelave me kanabis”, tha Rama, para një aktiviteti me punonjës së policisë së shtetit një deklaratë, e cila përgënjeshtron Ramën, që përgjatë gjithë vitit 2016 përsëriste dhe tregonte raporte medemek të shteteve të huaja, ku thoshin se problemi i kanabisit nuk ekziston. Eshtë i njëjti njeri, i njëjti person që dje ka shpallur planin e tij kombëtar për luftën kundër kanabisit. Atëherë kë të besojmë, Ramën e 2016, apo Ramën e 2017. Kush është mashtruesi, i pari apo i dyti!

Fasada

Por pse i gjithë ky aksion tani në fund të shkurtit dhe fillim marsi. Duket se gjithçka është një propagandë e fryrë, teksa tonelatat me farë kanabisi janë depozituar që në dhjetor të vitit të kaluar për t’u mbjellë më pas. Në fakt për të filluar aksione të tilla është ende herët, pasi ata që merren me këtë punë e dinë se mbjellja fillon diku nga fillimi i prillit dhe zgjat përgjatë gjithë verës. Fara është vietnameze, dhe kërkon përqendrim të lartë diell, ndërsa tani rrezikohet nga luhatjet e motit. Pra, prilli dhe maji janë koha kur fillohet me mbjelljen e tij. Por dhe në rast se është farë gjashtë mujorëshe, që korret zakonisht në shtator tetor sërish kërkon muajt mars prill për t’u mbjellë. Por për të bërë spektakle televizive, duke thirrur gazetarë në  helikopterë, me policë që kontrollojnë stallat e derrave apo të lopëve, duhet që ky aksion të fillojë në shkurt, kur dihet që deri më tani nuk është mbjellë akoma asnjë rrënjë kanabis. Deklarohet që janë nxjerrë 4300 forca policore në terren, duke luftuar me mullinjtë e erës, të cilat jo vetëm që nuk i sjellin asnjë rezultat, por i kushtojnë miliona lekë në ditë buxhetit të shtetit. Nxjerrja e ushtrisë bëhet vetëm në vende si Kolumbia, ku përmasat e trafikut të drogës kanë tronditur jo vetëm atë si shtet, por të gjithë Amerikën Qendrore dhe Veriore. Dhe kjo po ndodh dhe në Shqipëri, nën qeverisjen e Edi Ramës.

Kërkesa e Manjanit

Ylli Manjani në daljen e tij të fundit publike, si ish-ministër i Drejtësisë do të deklaronte se ka qenë pikërisht deklarata e tij, për të nxjerrë ushtrinë në terren për të luftuar kanabisin, e cila ka ndezur konfliktin me Edi Ramën. Manjani deklaroi se, gjendja është e rëndë ndaj kërkohet ndërhyrja e ushtrisë. Por Rama me sa duket ka pasur axhendë tjetër. Atij më mirë i leverdiste një shkarkim i ministrit të pabindur se të vërtetat që ai thoshte. Natyrisht e thënë nga goja e një zyrtari të lartë të kabinetit, kjo jo vetëm merrte përmasa të tjera, por nxirrte lakuriq dhe ministrin e tij të Brendshëm, i cili jo pak herë është përfolur për lidhje me krimin e narkotrafikun. Sot Manjani është i shkarkuar, ndërsa ministri i Ramës, flet për plane kombëtare së bashku me shefin në luftën klundër kanabisit. Por i rëndësishëm është fakti, se nuk ndodhi as në shtator, as në dhjetor kur ishte kulmi i eksportit të tij, por ndodh tani në shkurt, ku shumica e sasisë ka dalë jashtë vendit dhe me dhjetëra tonë janë kapur nga shërbimet fqinje të policisë dhe jo vetëm. Por ka dhe një fakt që Tahiri, e di fare mirë dhe që tregon katrahurën dhe përmasat që ka marrë ky fenomen në vend. Sipas statistikat nga forcat policore, arrihet të kapet vetëm 2-5% e sasisë së prodhuar. Deri më tani janë kapur disa dhjetëra tonë kryesisht në Itali. Llogaritë bëjini vetë.

Armand MAHO

Artikulli paraprakPas Zharrëzëz, puset e naftës rrezikojnë jetën e banorëve të Visokës në Mallakastër
Artikulli tjetërNishani: E drejta për votën e lirë është e panegociueshme