Prokuroria e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, ka nisur hetimet për 3 inceneratorët në Fier, Tiranë dhe Elbasan.
Një burim zyrtar nga SPAK, i tha gazetës Mapo se kanë regjistruar veprën penale, dhe po bëhen hetime për 3 paditë që ka bërë Partia Demokratike.
“Do të kemi hetime konkrete. Ende nuk ka veprime, por do të shikojmë dokumentet e tenderimit. Nuk kemi emra konkret, por prokurori do të zhvillojë hetime dhe nëse do të ketë emra atëherë do të veprohet siç parashikon ligji”, – u shpreh një burim zyrtar për gazetën Mapo.
Prokuroria do të hetojë nëse ka abuzim me detyrën, shkelje të procedurave të tenderimit, apo grup i strukturuar kriminal, ashtu siç ka denoncuar Partia Demokratike.
Ndërkohë sot ka reaguar sërish kreu i PD-së Lulzim Basha. Në studion e Euronews Albania, ai tha se SPAK ka ngarkuar vetëm një prokruror për të 3 çështjet, ndërkohë që bëhet fjalë për një afër korruptive të niveleve të larta.
Sipas Bashës, SPAK duhet të veprojë më shpejt dhe të hetojë të 3 inceneratorët.