Farsa e turpshme, e emëruara e Ramës në Prokurori takoi gjyqtaren para vendimit për Tahirin

Prej ditësh në korridoret e Prokurorisë së Krimeve të Rënda flitej për kërkesën që po hartohej për arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Grupi i tre prokurorëve Besim Hajdarmataj, Elisabeta Imeraj dhe Gentjan Osmani kanë marrë në pyetje një sërë personash të përmendur në dosjen “Tahiri – Habilaj” që po heton prokuroria shqiptare.
Në fillim u pyet një nga shoferët e Tahirit, më pas badiguardi, u pyet Orest Sota dhe sërish një tjetër nga shoferët. Të gjitha seancat ishin të fokusuara te fijet që lidhnin Tahirin me grupin e Habilajve. Hetime po kryheshin edhe në Vlorë ku prokurorët kanë kërkuar të dhëna edhe për skafin që përdorin kushërinjtë e tij.
Këtë të shtunë, një ditë pushimi zyrtar të gjithë prokurorët ishin në punë. Rreth orës 9 të mëngjesit në Gjykatën e Krimeve të Rënda është parë të hyjë gjykatësja Liliana Baku e cila ishte e gatshme për masat e sigurisë që mund të paraqiteshin. Ndoshta as ajo nuk e dinte se dosja që do t’i vinte në tavolinë kishte sipër një emër “të rëndë”.
Lapsi.al mësoi se gjykatëses i mbërriti menjëherë kërkesa e prokurorisë së Krimeve të Rënda për të caktuar masën “arrest me burg” për ish-ministrin dhe ish-deputetin Saimir Tahiri. Gjykatësja nuk e mori vendimin menjëherë. Asaj i janë dashur plot 8 orë për të hedhur firmën në vendimin e saj i cili sic dihet është “arrest shtëpie”. Në këtë orar janë parë të hyjnë në gjykatën e krimeve të Rënda edhe prokurorët Gentian Osmani dhe Besim Hajdarmataj.

Në Gjykatë janë parë të hyjnë edhe dy zyrtarë të lartë të policisë, Aida Hajnaj Zv/drejtoresha e Përgjithshme e Policisë dhe Eduard Merkaj, Drejtor i Policisë Kriminale. Pas dhënies së vendimit “arrest shtëpie”, prokurorët janë paraqitur në shtëpinë e Tahirit, ku këtij të fundit i është komunikuar masa e marrë. Gjykatësja Liliana Baku la zyrën rreth orës 19.00. Në zyrë e saj, këtë të shtunë ka qenë edhe kreu i sapo emëruar i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Donika Prela.
Saimir Tahiri është nën hetim i dyshuar për “Trafikim i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, e parashikuar në nenet 283/a dhe 333/a, në lidhje me nenin 28 të Kodit Penal dhe, “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, e parashikuar në nenin 260 të Kodit Penal.
Megjithëse e shtunë, Tahiri kishte qëndruar pothuajse gjatë gjithë ditës së sotme në shtëpinë e tij. Ai ka dalë për rreth 1 orë nga shtëpia, për të konsumuar një kafe.
Sapo Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e “arrestit në shtëpi”, prokurorët mbërritën në banesën e ish-ministrit në lagjen “Kodra e Diellit” në Tiranë. Në prani edhe të avokatit Maks Haxhia, atij i është komunikuar zyrtarisht vendimi dhe i është marrë pasaporta dhe karta e identitetit. Urdhri ishte i prerë: “Urdhërohet shtetasi nën hetim Saimir Bashkim Tahiri të mos largohet nga banesa e tij, ndodhur në Tiranë, Rruga “Kodra e Diellit”, Pallati Nr.3”.
Për momentin 37-vjeçari nuk do të shkojë në qeli, por mund të shijojë nga ballkoni ajrin e pastër të “Kodrës së diellit”
“Lapsi.al”

Artikulli paraprakMisteri “Skripal” dhe dosja anti-Trump
Artikulli tjetërNgritja e Azisë dhe pasojat për Europën