Farsa e turpshme e operacionit me gjoja 1000 policë kundër trafiqeve

Policia e Shtetit bëri të ditur dje se, ka nisur një operacion masiv për kontrollin e zonës bregdetare, me qëllim goditjen e trafikut të lëndëve narkotike që mund të kryhen nëpërmjet kufirit detar. Në fakt ky superoperacion nuk ishte gjë tjetër veçse show i radhës i Ramës dhe Çakos për t’i hedhur hi syve shqiptarëve se gjoja po goditet trafiku i drogës. Policia tha se në këtë operacion kanë marrë pjesë 1140 forca policore dhe janë arrestuar 32 persona, por nuk publikoi asnjë emër apo iniciale të personave të arrestuar. Ky fakt tregon se ky operacion nuk ishte gjë tjetër, por një farsë.
Edhe ish-Kryeministri Berisha e ka cilësuar operacionin e djeshëm të policisë një farsë të neveritshme. Përmes një mesazhi në Facebook, Berisha shkruan se, kjo farsë e dyshes Rama-Çako, kërkon t’u hedhë hi syve të medias dhe qytetarëve.
“Farsa e turpshme dhe e neveritshme e Norieges e operacionit me gjoja 1000 policë kundër trafiqeve!
Të dashur miq, sot gjatë gjithë ditës mediat njoftuan operacionin farsë të radhës Rama-Çako, kundër trafiqeve, të 1000 forcave policore nga toka, ajri, deti nga Velipoja në Butrint.
Në këtë show të neveritshëm, policia, pa dhënë asnjë emër apo mbiemër, pa treguar asnjë person njofton se (mashtroi se), janë arrestuar mbi 32 trafikantë, dhe, pa treguar as dhe një provë të vetme njoftoi se (mashtroi se) janë kapur qindra kg kanabis, sasi e mirë kokaine etj…
Megjithë këtë, Rama kësaj here gënjeu me karar, sepse nuk tha se ka angazhuar 6000 forca policore po vetëm 1000, dhe nuk tha se ka kontrolluar çdo depo, çdo magazinë, stan dhe shtëpi por tha vetëm se po kontrollojnë 400 km vijë bregdetare.
Dënoj me ashpërsi këto operacione farsë të neveritshme të Noriegës dhe ju bëj thirrje mediave të ruhen dhe të denoncojnë lajmet e rreme të qeverisë!”, shkruan Berisha.

Exit mobile version