Farsa me hipotekat, po lind Republika e deleve

Rama lëshoi një ultimatum të prerë dje ndaj gjithë regjistruesve në Drejtoritë e Hipotekave në vend duke kërkuar largimin e tyre përndryshe tha ai do të ndërmerren shkarkime masive. Ai tërhoqi vëmendjen e të gjitha mediave dje, të cilat e konsideruan këtë paralajmërim të beftë të kryeministrit si nisjen e valës së shkarkimeve të njerëzve të LSI nga postet që mbanin gjatë koalicionin PS-LSI. Ironia qëndron në faktin se Rama po përpiqet t’ia faturojë gjithë korrupsionin, vjedhjet, dështimin e gjithë të zezat e hipotekave, që sigurisht janë të njëjtat me gjithë pjesën tjetër të pushtetit njerëzve të LSI, duke nxjerrë gjoja të pastër pjesën e administratës së drejtuar prej PS. Këtë skenar Rama ka disa javë që është duke e ndjekur teksa shëtit nga një qytet në tjetrin duke bërë monologje para qytetarëve, duke u kërkuar posaçërisht atyre të ankohen për drejtuesit e hipotekave se ai do t’i shkarkojë menjëherë.
Por cili është modeli i vërtetë i Ramës për drejtimin e hipotekave? Këto shfaqje të Ramës bëhen sa qesharake e tallëse me qytetarët aq edhe të neveritshme në një kohë që modeli i tij pikërisht për hipotekat është promovimi i drejtorëve të tyre dhe emërimi në pozicione të larta drejtuese e përfaqësuese. Rasti tipit është ai i kreut të hipotekës së Durrësit, Jurgis Çyrbja, i konsideruar ndryshe si shërbëtori i interesave të Shullazit në Hipotekë.
Çfarë fshihet pas trashjes së zërit të kreut të qeverisë me vota të blera? Në vend të shtetit ligjor me institucione po tentohet të krijohet kulti  i ri i individit të njeriut-shtet. Krerët e hipotekave duhet të ikin, po Drejtori i Shullazit në Hipotekën e Durrësit që u bë deputet a do të shkarkohet?

Rasti Çyrbja

Vetëm pak ditë më parë, deputeti i PS për Durrësin, Jurgis Çyrbja ka dëshmuar në Gjykatën e Krimeve të Rënda për regjistrimin në Hipotekë të një pjese të Hotel “Vollgës” në emër të Emiljano Shullazit. Jurgis Çyrbja ka qenë drejtor i Hipotekës së Durrësit gjatë kohës kur Shullazi ka marrë Hotel “Vollgën”. Gjatë dëshmisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ai ka folur për herë të parë lidhur me një bisedë me Emiljano Shullazin për këtë çështje. Çyrbja ka pranuar para trupit gjykues se është takuar edhe me vetë Shullazin në një lokal afër shtëpisë së tij në Shijak. Deputeti Çyrbja ka dëshmuar ndaj Shullazit dhe grupit të tij që akuzohen për gjobëvënie, duke folur për lidhjet e tij edhe me biznesmenin Ylvi Beqja. Çyrbja ka deklaruar se është takuar më parë me Ylvi Beqajn, për të regjistruar pronën e tij. Sipas Çyrbjas, biznesmeni Beqja i kishte kërkuar të takonte Shullazin dhe regjistrimin e Hotel “Vollgës”. Ai tha se, Shullazi i ka kërkuar regjistrimin e pronës në atë kohë kur Çyrbja drejtonte zyrën e Hipotekës në Durrës, i ka thënë se do të vepronte sipas ligjit dhe më pas i ka regjistruar pronën dhe ka pasur kufizim të saj. Ai ka deklaruar se është takuar me Shullazin dhe ka pasur debate të forta me të, por nuk është kërcënuar prej tij.

Shkarkime kolektive, ultimatum i Ramës për drejtorët e hipotekave

Rama mblodhi në një takim drejtorët e Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme për t’ua thënë në sy që duhet të japin menjëherë dorëheqjen nga detyra. Por pikërisht pas katër vitesh qeverisjeje, pasi ezauroi tepsinë me LSI-në, Rama u kujtua të thotë se një ndër arsyet e kësaj kërkese, sipas kreut të qeverisë, është mungesa e seriozitetit dhe e përgjegjshmërisë për t’iu përgjigjur ankesave të qytetarëve. “Të firmosni dorëheqjen sot që të paktën të ikni me dinjitet fundor nga kjo punë, se që të kesh 238 kërkesa pa përgjigje nga 246 që ka zyra. Domethënë t’i jesh përgjigjur në afatin ligjor vetëm 3% të kërkesave unë nuk e di ça do të thotë më. Nuk flasim këtu pozitive apo negative, flasim përgjigje. Kush e ka të drejtën t’ua shkeli qytetarëve të drejtën ligjore për të marrë përgjigje brenda një afati? Për ça janë afatet e ligjit?! Janë rekomandime që në rast se ju keni disponibilitetin mund t’i zbatoni? Apo janë detyruese?! Një qytetar kur vjen të marrë një përgjigje, po ose jo? Ju them dorëheqjen për një arsye, mos kujtoni se nuk bëhet dot me shkarkim, vetëm me një arsye. Është një zonë pune shumë e vështirë dhe e minuar nga fakti i problemeve objektive që nuk janë probleme që i kanë krijuar drejtuesit, por ama për malin me probleme subjektive që ju keni lejuar, ndihmuar apo krijuar sipas rasteve të ngrihet në formën e arrogancës, papërgjegjshmërisë dhe korrupsionit përgjegjës jeni ju”, u shpreh Rama. Kryeministri paralajmëroi ndjekje penale për çdo shkelës të ligjit dhe rikthim në detyrë për të gjithë ata që kanë kryer detyrën me korrektësi. Ndërkohë, drejtori i Përgjithshëm e ALUIZNI-t, Artan Lame duke i mbajtur ison Ramës përforcoi edhe një herë deklaratat, ndërsa tha se përmirësimi i blloqeve kadastrale ka mbetur pas, duke u përmirësuar vetëm 11 për qind e tyre. Kjo sipas drejtorit, ka ardhur si pasojë e refuzimit të ZRPP-ve për të bashkëpunuar me zyrat e ALUIZNI-t. Po ashtu, me ristrukturimin e administratës në Hipotekë, do të ngrihet edhe një komision etike për të monitoruar mbarëvajtjen e punës. E gjithë kjo fushatë nuk është gjë tjetër veçse, përgatitja për emërimin e njerëzve të Ramës në krye të hipotekave dhe vijimin e vjedhjeve, zhvatjeve, korrupsionit etj., në nivele edhe më të larta se më parë.

Basha: Modeli Çyrbja, modeli i Ramës për hipotekat

Kreu i PD, Basha ironizoi shfaqjen e Ramës dje në lidhje me shkarkimin e kryeregjistruesve të hipotekave, ndërsa solli në vëmendje kandidimin e Jurgis Çyrbjes, ish-kreut të Hipotekave në Durrës si dëshmi të modelit që Rama ka për drejtimin e tyre. “Edi Rama e ka ditur mirë dhe çdo ditë se kush janë krerët e hipotekave, sa hajdutë e sa abuzues janë. Por për të kanë qenë në rregull sepse i kanë shërbyer pushtetit të tij personal dhe miqve të tij. Ai vetë i ka caktuar, i ka mbrojtur dhe i ka shpërblyer kur i kanë kryer pazaret e tij si duhet: siç bëri me Çyrbjen e hipotekës së Durrësit, i cili pasi i shërbeu Shullazit në zyrë, i shërbeu deri në fund edhe në gjyq. Këtë shef hipoteke Edi Rama, sot e ka bërë deputet. Çyrbja është modeli i tij për hipotekat, të tjerat janë dokrra pleniumesh që nuk i ha askush”, u shpreh Basha.

Exit mobile version