Partia Demokratike denoncon farsën zgjedhore që po ndodh në zgjedhjen e kryesisë së Akademisë së Shkencave ku po imponohet zgjedhja e anëtarëve sipas emrave të preferuar të pushtetit.
“Prej disa kohësh ndjekim me shqetësim atë që shumëkush e ka quajtur ‘farsë zgjedhore’ për zgjedhjen e kryesisë së komunitetit më të rëndësishëm shkencor në vend. Ajo që po ndodh me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë është e pafalshme dhe e papranueshme. Kemi të bëjmë me as më shumë dhe as më pak me një tentativë për uzurpimin e çdo hapësire për vendimmarrje demokratike në institucionin që duhet të rrezatonte dije dhe demokraci për të gjithë Shqipërinë.
Një pjesë e kryesisë së këtij institucioni, në shkelje të plotë të statutit të akademisë, po vepron në mënyrën më sovjetike dhe staliniste të mundshme, për t’i imponuar komunitetit shkencor të Shqipërisë, vendosjen e vasalëve të pushtetit në Olimpin e shkencave shqiptare”, thuhet në një reagim të PD për mediat.
PD thekson se përdorimi i metodave staliniste të votimit, trajtimi i personaliteteve më të larta të shkencës shqiptare sikur të jenë një tufëz bagëtish, është një atentat i tmerrshëm që i bëhet dinjitetit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
“Jo vetëm nuk janë respektuar kriteret statutore të njoftimit dhe përfshirjes së komunitetit shkencor, jo vetëm nuk janë njoftuar universitetet dhe personalitetet me kontribute në fushën e dijes. Ajo që ka ndodhur është kolektivizimi i votës, është kërkesa për votim me zarfe dhe me postë për kryesinë e Akademisë së Shkencave, ajo që ka ndodhur është shkelja e kuorumit dhe e të drejtës së çdo pjesëtari të komunitetit shkencor për të qenë i informuar, prezent dhe pjesëmarrës në përcaktimin e fateve të drejtimit të shkencës shqiptare.
Ajo që pritet t’i shkaktohet Akademisë së Shkencave, ndodh në vazhdën e atentateve ndaj lirisë së vetadministrimit të institucioneve universitare. Nëse ‘klubi stalinist’ që synon të shkatërrojë demokracinë akademike ia arrin me sukses qëllimit të tij, atëherë çfarë mund t’i kërkojmë ne votuesit të zakonshëm shqiptar? Nëse korruptohen proceset demokratike në majën më të lartë intelektuale shqiptare, si mund të jetë e mendueshme dhe e imagjinueshme që zgjedhjet vendore dhe kombëtare të mos cenohen?”, thuhet në reagimin e PD.
Gjithashtu PD kërkon nga Kontrolli i Lartë i Shtetit të nisë procedurën për verifikimin e kritereve statutore për kryesimin e Akademisë së Shkencave. “I bëjmë thirrje të gjithë komunitetit akademik, të gjithë mendimit intelektual dhe qytetar të mbështesë të gjithë zërat e lirë që kërkojnë të ruajnë lirinë dhe pavarësinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Larg përdorimit të kësaj kauze për çfarëdolloj përfitimi politik, u bëj thirrje qytetarëve të lirë të këtij vendi të mos pranojnë përjetësimin e stalinizmit, diktaturës dhe klientelizmit në institucionin më të lartë shqiptar të shkencës. Ju sigurojmë se çdo vendimmarrje e padrejtë, antistatutore dhe e jashtëligjshme që synon kontrollin antidemokratik të Akademisë së Shkencave do të marrë nga Partia Demokratike përgjigjen e duhur në mënyrën e duhur”, thuhet në fund të reagimit të Partisë Demokratike.