Fatbardh Kadilli: Për dinjitet Berisha duhet të përballej me drejtësinë, ja tre momentet kur e ka dëmtuar PD-në

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD Fatbardh Kadilli ka deklaruar se Sali Berisha duhet të ishte përballur me drejtësinë, për akuzat që janë ngritur ndaj tij.

Në një intervistë për “Vizion Plus” me Aleksandër Furxhi, Kadilli tha se tre janë momentet kur Berisha ka dëmtuar PD, ndërsa shtoi se vendit i duhet një opozitë e vërtetë që të mendojë për projekt politik e jo të ikë pas halleve të liderit.

Sipas tij, Berishën në këto momente nuk e mbështesin shumë demokratë, e kjo u pa mbrëmjen e të shtunës kur në seli u mblodh një grup i vogël demokratësh.

Pyetje: Ju jeni ndër të parët që kërkuar largimin e tij nga partia pas shpalljes non grata nga SHBA, po sot që është i dyshuar për organet e drejtësisë për korrupsion hetim çfarë mendoni?

Kadilli: Pas humbjes katastrofike të 2013 kur ishte në pushtet, Berisha dha dorëheqjen por nuk hoqi dorë nga ndikimi në PD. Me shpalljen non grata e futi PD në krizë më të thellë. E treta sot kur kemi edhe një procedurë juridike ndaj tij. Për dinjitetin të funksioneve që ka pasur duhet të shkonte sot në gjykatë dhe të përballej me drejtësinë e mos fshihej pas flamurit të partisë dhe logos. Ai flamur dhe logo na takon edhe ne.  A është i pafajshëm? Këtë nuk e vendosim ne.

Pyetje: Demokratët sot janë të përçarë por Berisha tërhoqi shumicën. Si do ndikojë fakti që Berisha mund të shkojë në bankën e të akuzuarve?

Kadilli: Unë nuk i ndaj dot demokratët. Ata që kanë shkuar pas Berishës kanë shkuar se kanë pasur besim në zotësinë e tij politike e në mekanizmat e pushtetit që i ka të shumta, e kanë besuar që do ja dalë. 14 maji ishte një ngjarje e rëndë. Humbja në Kukës ishte edhe një gjë më e rëndë. Hallin e tij juridik ta zgjidh në gjykatë. Ne si opozitë kemi një aleat, reformën në drejtësi. Në këtë vend nuk ka pasur drejtësi të pavarur nga pushteti. Si mund të ketë drejtësi kur ne i shajmë prokurorët, i quajmë të kapur e peng. Ne duhet ti japim besimin drejtësisë. Demokratët e dhanë shenjën e tyre atë natë që ndodhi ngjarja. Atë ishin shumë pak demokratë.

Pyetje: Sot një numër jo i vogël të kampit të majtë janë në duart e drejtësisë. Pasuesit e Berishës thonë se SPAK po zbaton një skenar të qeverisë. Ju si mendoni? Kush është besueshmëria e SPAK?

Kadilli: Ata që mendojnë që opozita është Berisha kanë të drejtë të mendojnë ashtu. Berisha është njësoj si Rama dhe ka të njëjtat vese, ndaj nuk e mund dot. Ne duam një opozitë të re që nuk shkon pas halleve të liderit. Uroj që demokratët të kuptojnë që duhet të bashkohen drejt një projekti politik që i jep përgjigje se çfarë duan shqiptarët.

Exit mobile version