Fati i demokracisë në duart e gjykatave superiore të Shqipërisë!

Nga Azgan Haklaj

Gjykata Kushtetuese përmes drejtorisë gjyqsore dhe të legjislacionit ka dhënë lajmin se ka vendosur me dt 26- të nëntor shqyrtimin më në fund në seancë plenare publike të kërkesës së shumë subjekteve politike për shfuqizimin e ligjit për kodin zgjedhor të vitit 2008-të si dhe atij të vitit 2024 si të papajtueshëm me kushtetutën e vendit
Për thjeshtëzim të nocioneve konstitucionale për lexuesin bëhet fjalë për dy ujdi të hapta parlamentare Berisha-Rama që pamundësojnë barazinë e votës dhe krijimin e koalicioneve politike parazgjedhore.
Po ashtu “thembra e Akilit” e kësaj ujdie janë listat e mbyllura partiake, ç’ka e atrofizon konkurimin, meritokracinë, zhvleftëson dhe tjetërson votën e qytetarëve dhe vulos autokracinë e kryetarëve.
Demokratët euro-atlantikë vijimësisht kanë insistuar që ky ligj të ndryshohet dhe listat të jenë të
hapura, sikundër Shqipëria të mos copëzohet në parcela politike të lidhura me interesat okulte Berisha -Rama por të jetë një zonë elektorale ku vota e qytetarëve të përkthehet në besim politik pikërisht për kandidatin që fiton në garë, prandaj disa deputet euroatlantikë të mbështetur nga disa parti politike të Harkut Opozitar Euro-Atlantik kanë bërë ankimimin në Gjykatën Kushtetuese.
Në fakt këtu nuk ka vend për interpretim juridik pasi prevalon ai logjik por dyshja që ka marrë me ujdi peng demokracinë ka shpikur këtë amalgamë juridike vetëm për të zgjatur mbretërimin e tyre politik dhe mbijetesën e bipolarizmit në jetën politike shqiptare.
Ishte ky shkak që në mënyrë arbitrare një treshe gjyqtarësh të Gjykatës së Apelit në kundërshtim me vendimin e dhënë nga Gjykata e Lartë i grabiti emrin, siglat dhe vulën PD-së duke ia kaluar në paligjshmëri të plotë foltores së Sali Berishës, një organizate të paliçensuar juridikisht që organizmat e vetë i kishte krijuar në stadiume futbolli në kundërshtim me statutin e normat e brendshme të sanksionuara të PD-së, me falsifikime formularësh e vulash.
Vendimi i gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit e theksoj në kundërshtim me vendimin e Gjykatës së Lartë rrezoi hierarkinë gjyqsore elektorale të zgjedhjeve të 14- majit të vitit 2023 dhe delegjitimoj krejt proçesin.
Demokratët euro-atlantikë ndonëse të
dëmtuar nuk mësynë sheshet e akset rrugore, as nuk morën molotovin e tritolin por në respekt të parimeve që i dominojnë ju drejtuan Gjykatës së Lartë me rekurs ligjor dhe Gjykatës Kushtetuese me ankimim.
Ky është principi bazë i demokratëve euro-atlantikë zbatimi i ligjit dhe vendimit të gjykatave të vendit, si dhe degjimi me urtësi i sugjerimeve të aleatëve dhe jo rruga sharlatane e kryengritjeve e komisioneve të tipit “Xhafa” siç veprojnë non gratat e Ndoc Rrokët e bandës së vjetër politike.
Në këto kushte Gjykata e Lartë dhe ajo Kushtetuese kanë momentin e jetës dhe ekzistencës së tyre si gardianë të paekuivok të ligjit dhe kushtetutës të tregojnë jo vetëm përgjegjshmëri e kompetencë ligjore por të çelin përfundimisht rrugën e frymëmarrjes pluralizmit dhe demokracisë së plagosur në grahmat e fundit dramatike.
Nëse përsonalisht ne kemi qënë përkrahës pa kushte të drejtësisë së re kjo nuk presupozon që këtë ta shijojmë vetëm nga frytet e lavdërueshme të SPAK-ut dhe GJKKO-së por në tërësinë e hallkave të gjyqsorit në vend.
Reforma në drejtësi duhet të funksionojë në mënyrë të drejtë dhe kapilare, përndryshe dhe Prokuroria dhe Gjykata e Posaçme janë
të destinuara jo vetëm të impresionohen e të intimidohen por dhe të mbeten vetëm përballë kastës malinjë të politikës së vjetër.
Unë e kuptoj se nga vetë përbërja e interesat politike e institucionale në gjykatat superiore ka edhe persona që tentojnë të mbrojnë “mirëbërësit” e tyre por ju siguroj se është rasti i fundit që shumica duhet të dalë përmbi interesat meskine dhe të deshmojnë së paku nivel profesional juridik.
Kjo do të ngrinte jo vetëm nivelin e tyre të besueshmërisë kombëtare e euroatlantike në nivelin e SPAK-ut por do i bënin një sherbim të çmuar demokracisë, shtetit të së drejtës, stabilitetit dhe integrimit të vendit.
Në të kundërt ato do marrin nominacionin pezhorativ që kanë pasur gjykatat e diktaturës, apo gjykatat e plepave që nuk bazohen në ligj por në interesat okulte politike të shefave.
Me besim në një gjykim të drejtë jo vetëm juridik por dhe human, në sherbim të
një demokracie të ngulfatur nga korrupsioni politik e ekonomik, ndihmuar nga segmente të rreziksheme të krimit të organizuar, nga ndërhyrje e sponsorizime të errta sllavo ruse për të na destabilizuar e mbyll apelin tim reflektiv.

Exit mobile version