Fati i keq i të qenit në një klasë me diktatorin

Në vitin shkollor 1929-1930, në liceun francez të Korçës, në klasën e filozofisë kishte 13 nxënës. Njëri prej tyre u bë drejtuesi i shtetit shqiptar gjatë diktaturës komuniste. Katër nga dymbëdhjetë të tjerët, u dënuan prej tij.

 

Histori të shumta përndjekjesh gjatë regjimit komunist e kanë krijuar tashmë idenë për sjelljen e diktatorit Hoxha ndaj atyre që kishin qenë pranë tij në periudha të ndryshme të jetës, që adoleshent e deri në ngjitjen, për habinë e tyre, në majë të shtetit shqiptar. Mësues, shokë klase në Lice, bashkëstudentë në Monpelje, njerëz që e kishin ndihmuar, deri edhe të afërm prej gjakut apo marrëdhënieve familjare, përfunduan të vrarë, të burgosur dhe internuar.

Kujto.al po ndalet sot te nxënësit që kanë qenë në një klasë me të në Liceun Francez të Korçës. Një dokument i fundvitit 1929, lajmëron Ministrinë e Arsimit për liceistët e vitit të fundit. Janë 19 gjithsej, 13 nga të cilët në degën e Filozofisë dhe 6 në degën e Matematikës. Në klasën e parë, që kishte edhe numrin më të madh të nxënësve, studionin Asllan Muhedin, Enver Hoxha, Enver Zazani, Fejzi Dika, Fejzi Dobi, Foto Bala, Jusuf Jashar, Kel Gashi, Nedin Kokona, Petraq Leka, Petraq Progri, Sotir Angjeli dhe Tef Jakova.

Shihen disa emra të njohur në këtë listë që studiuan jashtë Shqipërisë dhe u bënë profesionistë të spikatur, por edhe disa prej viktimave të diktaturës, të dënuar nga shoku i tyre i klasës, i viteve kur zakonisht formohen miqësitë e vërteta.

Enver Zazani, i pushkatuar

enver
Enver Zazani

“Pas mbarimit të liceut iu akordua bursë për Mjekësi në Francë, në fillim në Monpelje dhe pastaj në Lion. Pas studimeve bëri edhe 2 vjet specializim. Me gjithë ofertat që i bënë për të qëndruar në Francë, ai u kthye në atdhe. E caktuan me punë në Qarkun e Durrësit. Mjeku i ri, në pak kohë, u bë i njohur dhe i dashur për durrsakët, kavajasit, shijakasit jo vetëm për aftësitë e tij, por edhe për humanizmin, mikpritjen në shtëpi, kurajën që u jepte të sëmurëve e familjarëve të tyre” shkruan Vehip Bakiri, nipi i Enver Zazanit në gazetën Panorama. Enver Zazani mori pjesë në luftën nacionalçlirimtare dhe në zgjedhjet e vitit 1946 u zgjodh deputet i Kuvendit Popullor, por ai shumë shpejt, nisi të kundërshtonte, politikat antiperëndimore të qeverisë komuniste dhe për këtë arsye, u arrestua në maj 1947, dhe u akuzua me grupin e deputetëve. Mundi të dërgonte mesazhe nga burgu, por një e kapën dhe e torturuan aq sa i thyen edhe syzet, pa të cilat nuk shikonte. Hetuesi Mihallaq Ziçishti, siç i ka dëshmuar Foto Bala, Agim Mustës, i ka shuar cigaren ne kapakun e syrit. Pas 5 muajve tortura e pushkatuan bashkë më shokët në Bregun e Lumit.

Bashkëshortja e diktatorit, Nexhmija Hoxha, që megjithëse jetoi gjatë, nuk shfaqi pendesë për krimet që u kryen gjatë komunizmit, në një intervistë dhënë Rudina Xhungës për emisionin “Shqip”, ka bërë vetëm dy përjashtime, kur u pyet nëse ndiente keqarjdhe për ndonjë nga personat e pushkatuar. “Po, për dy prej tyre. Njeri ishte Syrja Selfo, që ka ndihmuar shumë familjen e Enverit gjatë luftës. Tjetri ishte Dr. Zazani dhe gruaja e tij franceze. Ata jo vetëm luftuan, por më kanë strehuar mua dhe shokë të tjerë në shtëpinë e tyre. Nuk mundëm t’i ndihmonim atëherë, ashtu ishte situata”.

Sot, si të gjithë deputetët e pushkatuar, është pa varr. Është shpallur “Martir i Demokracisë”.

Foto Bala, i burgosur

U lind në Vuno. Gjysmën e gjimnazit e kreu në Gjirokastër, më pas u zhvendos në liceun francez të Korçës dhe studimet e larta për Filozofi i kreu në Monpelie të Francës, duke pasur mundësi të njohë nga afër, në të gjitha këto etapa shkollimi, Enver Hoxhën.

Në librat me kujtimet, ish-i dënuari Agim Musta, bashkëvuajtës me Foto Balën në burgun e Burrelit, ka sjellë disa nga përshtypjet e profesorit të filozofisë për diktatorin Hoxha. “Në bisedat që bënim më fliste për të kaluarën e tij, që e gjykonte si fatalitet: “Në Gjirokastër, jam njohur me Enver Hoxhën qysh kur isha 12 vjeç. Ishim moshatarë dhe së bashku shkuam në Korçë për të vazhduar Liceun. Kishte një zgjuarsi diabolike dhe ishte pervers. Flija me të në një dhomë, por akoma s’e kisha njohur ashtu si duhej…Edhe në Monpelje qëndrova në një dhomë me Enverin. U ndava me të, kur ai mbeti në klasë dhe u detyrua të largohej. Ishte i pabesë”. U takuan sërish si mësues në Liceun e Korçës në vitet ’30, por jo në kushte të barabarta. Foto Bala ishte diplomuar, ishte emëruar profesor dhe paguhej me rrogë fikse, ndërsa Enver Hoxha vetëm me honorare.

Në vitin 1945, u pushkatua i ati i Fotos, Dhimitër Bala, i cili gjatë pushtimit italian kishte qenë në funksionin e kuestorit të prefekturës së Durrësit. Ai i ndihmoi lëvizjen nacionalçlirimtare me sa mundi, duke e justifikuar si një ndihmë që nuk mund t’ua mohonte kurrë shqiptarëve, madje edhe në gjyq dëshmuan për këtë, por kjo nuk e shpëtoi nga pushkatimi. Pas një viti, arrestuan edhe Foton dhe e dënuan me burgim të përjetshëm që më pas u kthye në 25 vite heqje lirie.

Foto Bala gjate gjyqit

Provoi punën e rëndë të kampeve të punës dhe izolimin e Burrelit deri sa u lirua në 21 prill 1963. Kreu 17 vite burg dhe më pas shkoi në internim në Gradishtë të Lushnjës, ku kishin internuar edhe gruan dhe vajzat, por pavarësisht mundimeve fizike dhe goditjeve që mori, arriti të mbijetonte. U shua në fillim të vitit 1991, duke e përjetuar erën e ndryshimeve.

Nedin Kokona, i burgosur

Para se të regjistrohej në Liceun Francez të Korçës, Nedin Kokona kish ndjekur shkollën fillore në kolegjin franko-turk të Izmirit. Emri i tij, për sa u përket viteve të Liceut përmendet nga autori i librit biografik “Enver Hoxha, sulltani i kuq”, Thomas Schreiber i cili shkruan: “Kur ai bën shëtitje me shokët në rrugët e Korçës, vajzat kanë sy vetëm për një farë Nedin Kokona, një tjetër student dhe Hoxha bëhet sërish xheloz”.

Pas Liceut, Nedin Kokona vazhdoi studimet e larta në Toulouse dhe pasi diplomimit, u kthye për të ushtruar profesionin e avokatit në Elbasan dhe Tiranë. Gjatë viteve të pushtimit fashist dhe nazist, pati detyra të rëndësishme si prokuror shteti pranë Gjykatës së Tiranës më 1940 dhe më pas si kryetar i Gjykatës së Tiranës, ndërsa në vitin 1943, në muajin tetor, u dekretua sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, detyrë që e mbajti për rreth një vit, deri në vjeshtën e vitit 1944, çfarë solli edhe arrestimin e tij dhe gjykimin në gjyqin special. U dënua me 10 vjet heqje lirie.

Salla e Gjyqit Special

Provoi kampet e rënda të punës së viteve të para të regjimit siç ishte ai i Maliqit. U lirua pas pesë vitesh, por mbeti i internuar deri në vitin 1960. Më pas punoi punëtor, përkthyes si edhe dha privatisht mësime të gjuhës frënge. U nda nga jeta më 28 maj 1998.

Fejzi Dika, i arrestuar dhe i lënë në hije

Fejzi Dika nuk u dënua me burg apo internim, por as ai nuk i shpëtoi përndjekjes. I lindur në Gostivisht të Kolonjës në vitin 1907, mbeti jetim në moshë të njomë, por pavarësisht vështirësive, ishte një nxënës shumë i mirë dhe, me anë të bursave shtetërore, arriti të kryente liceun francez të Korçës dhe më vonë, të diplomohej për Filozofi dhe Pedagogji në Monpelie.

Siç ka shkruar në autobiografinë e tij, pasi u kthye në Shqipëri në vitin 1934, dha mësime të frëngjishtes në shkolla dhe qytete të ndryshme. Me heqjen e gjuhës frënge nga shkollat, filloi të japë letërsi në politeknikumin “17 Nëntori”, ku arriti t’u mësonte shqip katër profesorëve sovjetikë brenda një viti, çfarë i dha reputacion si mësues i shqipes për të huajt. Në vitin 1950, kur jepte mësim në Liceun Francez në Gjirokastër, u pushua nga puna.

Pasi gruaja e parë ndërroi jetë për shkak të një sëmundjeje, Fejzi Dika u martua me Nora Prosin, bijë e një familjeje të konsideruar armike nga qeveria. “Nga fillimi i vitit 1951 kur ndodhi incidenti i bombës në Ambasadën Sovjetike, në mes shumë të arrestuarve, gjoja si të implikuar në atë ngjarje, ishte dhe Fejzi Dika, i cili në atë kohë u jepte mësime private të gjuhës shqipe disa nëpunësve të asaj ambasade. Atë ditë që mësuam arrestimin e Fejziut, unë dhe motrat e mia u mërzitëm shumë dhe duke ditur problemet e tij me Enver Hoxhën, mendja na shkonte vetëm për keq. Duke qenë se ne nuk kishim vëlla dhe Fejziun e kishte rritur babai ynë Asimi, ne e konsideronim atë si vëllanë tonë dhe ai na quante motra. Fejziu mundi të lirohej, vetëm një ditë para se 22 personat e arrestuar, t’i çonin drejt pushkatimit dhe kjo gjë u bë e mundur vetëm në sajë të ndërhyrjes së vetë ambasadorit sovjetik tek Enver Hoxha, i cili i doli atij garant se profesor Fejzi Dika, nuk mund të ishte i implikuar në hedhjen e bombës në ambasadën e tyre. Atë ditë që u lirua ai, të gjitha ne motrat kishim dalë për ta pritur në qendër të Tiranës, aty ku ka qenë “Kursali” dhe sapo u takuam, ai na tha: ‘Shpëtova dhe këtë herë”.-ka thënë për memorie.al, Drita Dika Morava.

Atë e pushuan nga puna siç pushuan edhe bashkëshorten e tij që ishte folëse në Radio-Tirana, me motivacionin se ishte pinjolle e një familjeje aristokrate dhe reaksionare. Ajo nisi të punonte si rrobaqepëse, ndërsa Fejziu u kthye në ndihmësin e saj. Pas disa vitesh, arriti t’u kthehej përkthimit dhe mësimdhënies duke dalë në pension si mësues. Pavarësisht pasionit për poezinë lirike dhe vlerësimeve pozitive që mori për poezitë e botuara gjatë viteve ‘30, emri i tij mbeti në hije gjatë diktaturës. Kushërira e tij ka treguar se në vitet 1973-74, diktatori dërgoi Sulo Gradecin t’i merrte kujtimet për të gjatë kohës së studimeve në Francë, por ai refuzoi duke u justifikuar se nuk mbante mend gjë. Fejzi Dika u largua nga kjo jetë në vitin 1983. Dy vite më vonë, kur ndërroi jetë Enver Hoxha, e veja e Fejziut, doli të shëtiste e veshur bukur dhe me buzë të lyera me një të kuq të ndezur. Sigurisht që e ndaluan, diku i kërkuar llogari, por ajo tha se Enver Hoxhës, zinë, t’ia mbante Nexhmija. Më 16 gusht 1986, u arrestua djali i vogël i Fejzi dhe Nora Dikës, Nilsi. Ai u dënua për tradhti në formën e arratisjes së mbetur në tentativë, me 5 vite burg./ kujto.al

Exit mobile version