Unai Emery është kritikuar sërish nga tifozët e Arsenalit pasi që është zbuluar se ai ka vendosur që t’ua la në dorë lojtarëve të “Topçinjve” fatin e Granit Xhakës dhe shiritin e tij të kapitenit në skuadër.
Trajneri i Arsenalit, Unai Emery, kishte ngjallur një debat të madh në botën e futbollit, kur u bë e ditur se lojtarët kishin votuar për ta zgjedhur kapitenin e ri. Granit Xhaka e kishte fituar atë votim, për shkak të lidhjeve të mira që i ka me lojtarët në zhveshtore.
Por, tani, pasi mesfushori me origjinë shqiptare i shau tifozët që po e fishkëllenin gjatë kohës sa ai ishte duke dalë nga ndeshja kundër Crystal Palace, Emery ka vendosur që t’ua lë sërish në dorë lojtarëve vendimin për shiritin e kapitenit.
Ashtu siç është zbuluara nga Daily Mail, mendimi i skuadrës së Arsenalit do të jetë vendimtar për të ardhmen e Granit Xhakës në “Emirates”, pas incidentit që ndodhi të dielën.
Emery frikësohet se mund ta humbë mbështetjen e lojtarëve nëse vendos vetë t’ia marrë shiritin e kapitenit Xhakës, për shkak se ky i fundit pëlqehet shumë nga tifozët. Por, ky vendim do të merret vetëm nëse lojtarët e Arsenalit, apo vetë Xhaka, besojnë se 27-vjeçari s’duhet të jetë më kapiten i skuadrës.
Por, drejtuesit e Arsenalit ndiejnë se Emery e ka nënvlerësuar rëndësinë e shiritit të kapitenit, kur ia dha këtë përgjegjësi Xhakës, përkundër që ai nuk pëlqehet shumë nga tifozët e klubit londinez.
Emery e pranoi pas ndeshjes kundër Crystal Palave se Xhaka gaboi që iu përgjigj në atë mënyrë kritikave nga tifozët në stadium. Por, tifozët e klubit tani po e vënë në dyshim nëse ish-trajneri i Paris Saint-Germainit dhe Sevillas është në gjendje të marrë vendime për ta drejtuar skuadrën në këtë krizë.
Rasti i Xhakës mund të jetë vendimtar edhe për fatin e Emerys në pozitën e trajnerit të Arsenalit, pasi që drejtuesit e klubit anglez mund të vendosin se Emery s’është njeriu i duhur për këtë post nëse ai s’arrin ta zgjedhë këtë problem.
“Emery, përgjegjës për sharjet e Xhakës ndaj tifozëve”
Ish-mbrojtësi i Arsenalit, Martin Keown, beson se trajneri Unai Emery është pjesërisht përgjegjës për reagimin me sharje të Granit Xhakës në drejtim të tifozëve, gjatë ndeshjes të fundjavës kundër Crystal Palace, që përfundoi me rezultat 2:2.
Mesfushori shqiptar i Zvicrës, i cili është zgjedhur kapiten i Arsenalit me gjithë kritikat e shumta së fundmi, u nxor nga loja e së dielës në minutën e 61-të nga trajneri Unai Emery, për t’i lënë vend Bukayo Sakas, pak pas golit të barazimit të vizitorëve.
Xhaka u përcoll jashtë fushës me fishkëllima të shumta të tifozëve të vet. Kjo bëri që ai ta humbë pusullën dhe ta heqë shiritin e kapitenit dhunshëm, para se ta lëshonin nervat plotësisht.
Ai reagoi ndaj tifozëve duke i sharë: “Ik pi***uni” dhe duke e hedhur fanellën në tokë rrugës drejt tunelit për në zhveshtore.
Sjellja e tij, si kapiten i sapoemëruar, ka ngjallur reagime të mëdha në Angli. Shumë ish-yje të Arsenalit dhe tifozë të klubit londinez kanë mbetur të habitur me Xhakën, të cilin e kritikuan ashpër për reagimin tërbues.
“E diela nuk ishte hera e parë që Granit Xhaka u fishkëllye nga tifozët e vet. Ndodhi më 22 shtator gjithashtu, kur Aston Villa erdhi në Emirates. Arsenali po humbiste 2:1 dhe kur Xhaka po zëvendësohej, tifozët e përshëndetën atë me fishkëllima”, ka thënë Keown.
“Arsenali, përkundër që ishte me dhjetë lojtarë në fushë, arriti ta fitojë ndeshjen 3:2 pa mesfushorin. Vetëm pesë ditë më vonë, Unai Emery e emëroi Xhakën kapiten”.
“Emery është po aq fajtor sa të tjerët. Nëse ti i lejon lojtarët e tu ta zgjedhin kapitenin, atëherë kjo shndërrohet në garë popullariteti e jo lidershipit. Unë kurrë s’kam pasur trajner që e ka përshkruar kështu kapitenin dhe për mua Pierre-Emerick Aubameyang është më i sigurt”.
Xhaka pritet të rikthehet në stërvitje me ekipin të martën para ndeshjes së Arsenalit kundër Liverpoolit në rrethin e katërt të Carabao Cup të mërkurën, transmeton Gazeta Express.
Ndërkohë, Federata e Futbollit e Anglisë (FA) nuk do të marrë asnjë veprim ndaj Xhakës, pasi ai u pa duke i sharë dhe duke bërë me gjeste ndaj tifozëve të Arsenalit, të cilët e fishkëllyen.
Xhaka, i cili ka shkaktuar më shumë faulle (22) se çdo futbollist tjetër në Premierligë këtë sezon, është zëvendësuar tri herë në nëntë ndeshje deri tani në ligë.
Për momentin nuk dihet nëse Arsenali është duke menduar t’ia heqë shiritin e kapitenit mesfushorit shqiptar të Zvicrës.
I pyetur pas ndeshjes nëse Xhaka do të mbetet kapiten i Arsenalit, trajneri Unai Emery tha: “Nuk është tani koha të flitet për këtë”.