Zëri i Amerikës: Po ua bëj pyetjen më në përgjithësi. Jo për këtë rast konkret, por në përgjithësi, në raste të tjera që kanë të bëjnë me drogën në Shqipëri, kjo përhapje kaq e madhe e krimit të organizuar, a është e mundur, a vihen re lidhje midis kësaj bote kriminale dhe shtetit?
Fatmir Xhafaj: Absolutisht po. Nuk mund të mos e pranoj një gjë të tillë, sepse pa mbështetjen, ose pa blerë së paku heshtjen e zyrtarëve të shtetit, është e vështirë për të kryer veprimtari të kësaj natyre dhe sidomos këtu bëhet fjalë për zyrtarë që janë në agjencitë ligjzbatuese dhe që mund ta pengojnë, apo mund t’i favorizojnë veprimtari të tilla kriminale. Kjo është arsyeja që në vijimësi dhe, në mënyrë të veçantë, këtë vitin e fundit ne kemi bërë disa ndërhyrje të forta në radhët e strukturave drejtuese të policisë së shtetit, duke larguar prej tyre disa prej drejtuesve të lartë të policisë së shtetit, për të cilët ne mendonim që më së paku, kishin dijeni dhe me heshtjen e tyre dhe me mosveprimin e tyre, kishin favorizuar veprimtarinë kriminale në kultivimin e kanabisit gjatë vitit 2016.
Zëri i Amerikës: Me ardhjen tuaj në detyrë ju keni zëvendësuar shumicën e drejtuesve lokalë të policisë së shtetit…
Fatmir Xhafaj: Po, është e vërtetë.
Zëri i Amerikës: …Megjithatë, ka pak raste hetimesh ndaj tyre. Përse ndodh kështu?
Fatmir Xhafaj: Kjo është një pyetje e drejtë, por përgjigja e saj nuk mund të jepet nga unë. Besoj se do të duhet t’i bëhet prokurorisë dhe posaçërisht prokurorisë së krimeve të rënda. Ajo që dua të them unë është, që nga ana e policisë së shtetit ka referime…
Zëri i Amerikës: Ju, a i keni kallzuar ata?
Fatmir Xhafaj: Absolutisht, po. Ka referime konkrete për punonjës, për zyrtarë të policisë së shtetit, të cilët, sipas nesh, kanë qenë të implikuar në veprimtari kriminale. Mbetet që prokuroria e krimeve të rënda të bëjë hetimet e nevojshme dhe të nxjerrë përgjegjësitë përkatëse. Në një shtet të së drejtës përgjegjësitë janë të ndara: detyra e policisë është detyra e policisë, detyra e prokurorisë i përket prokurorisë dhe detyra e gjykatës është detyrë e gjykatës. Asnjëri nga këto tre institucione nuk mund të dublojë apo të marrë përgjegjësitë e institucionit tjetër.