Fatmir Xhafa fut 2.2 ton drogë në Ankona nga Porti i Durrësit

Një tjetër sasi rekord droge nga Shqipëria është sekuestruar dje nga policia italiane në Ankona. Mediat italiane shkruajnë se, 2.2 ton marijuanë është zbuluar në një kamion, i cili kishte ardhur nga Shqipëria dhe ishte nisur nga Porti i Durrësit. Pas emërimit të Fatmir Xhafës në krye të Ministrisë së Brendshme, trafiku i drogës drejt Italisë po zhvillohet me të njëjtin intensitet si në kohën e Tahirit. Tonelatat e drogës janë futur në Itali nga Porti i Durrësit, pa asnjë problem. Mediat italiane shkruajnë se, tonelata me drogë vijnë papushim nga Shqipëria në Itali përmes Adriatikut.
Vetëm në një javë që Xhafa drejton Ministrinë e Brendshme në Itali janë kapur më shumë se 4 ton drogë nga brigjet shqiptare. Ky fakt tregon se, pas drogës qëndron Xhafa dhe zyrtarët e lartë të policisë. Mediat e vendit fqinj raportojnë se, lufta kundër narkotrafikut ndërkombëtar e udhëhequr nga Doganat dhe nga Monopoli dhe Guardia di Finanza e Ankonës çoi në sekuestrimin e mbi dy tonë marijuanë. Droga është zbuluar në një ngarkesë që kishte në brendësi panele për ndërtimin e tavanëve që dukeshin të mbyllura mirë, të transportuara në bordin e një kamioni, i cili vinte nga Shqipëria.
Sistemi i analizës së riskut i zhvilluar nga Agjencia me të cilat zgjidhen dërgesat, të cilat duhet t’i nënshtrohen kontrollit dhe ndërhyrja e Guardia di Finanza, që për rastin ka vënë në lëvizje një njësi qensh të specializuar, qenin Barnet, kanë bërë të mundur zbulimin e rëndësishëm.
Me qëllim identifikimin e përgjegjësve të trafikut ilegal, lënda narkotike është vënë nën kontroll. Në fund të një operacioni të ndërlikuar të mbikëqyrjes dhe monitorimit janë vendosur në arrest tre shtetas të huaj të përfshirë në mënyra të ndryshme.
Lënda narkotike, pasi të hidhej në tregun ilegal, do të sillte më shumë se 20 milionë euro fitime. Që nga fillimi i vitit, në sajë të një veprimi gjithnjë e më efektiv kontrolli dhe monitorimi të trafikut që vjen nga Shqipëria, janë më shumë se 12 tonë marijuanë të sekuestruar pranë portit të Ankonës.

20 ton drogë në tre muaj vetëm në Ankona

Në bazë të statistikave, vetëm për këtë vit në Ankona janë kapur rreth 20 ton kanabis me prejardhje nga Shqipëria. Rritja e trafikut të drogës nga Shqipëria është kthyer në një kambanë alarmi për autoritetet italiane. Ajo që e bën të frikshme këtë shifër është fakti, se trafiku i drogës nga Shqipëria po rritet në mënyrë drastike këto kohët e fundit. Pikërisht për këto arsye, për rritjen e trafikut të drogës ka nisur dhe është në vazhdim një hetim që po bëhet nga Guardia di Financa në Marittima, hetim që ka përfshirë edhe Zyrën e Bashkëpunimit Ndërkombëtar në Ministrinë e Brendshme në Itali.

Alarmi i Antimafias italiane

Shqetësimin për rritjen e këtij trafiku e kanë shprehur ditët e fundit vetë zyrtarët e lartë të agjencive ligjzbatuese italiane. Prokurori i Përgjithshëm i Antimafias italiane, Franko Roberti dha sërish alarmin për trafikun e drogës nga Shqipëria. Gjatë një takimi në Romë, kreu i Antimafias italiane foli për tonelata ngarkesash që, sipas tij, mbërrijnë në brigjet e Pulias, kryesisht në Leçe dhe Bari nga Shqipëria dhe që transportohen me gomone.
“Është një dukuri shqetësuese. Ne kohët e fundit kemi qenë në Shqipëri, bashkë me prokurorët e Leçes, Barit e Katanxators, për t’u takuar me kolegët shqiptarë në Tiranë, për të nxitur bashkëpunim më të ngushtë dhe të kërkojmë hetime edhe në Shqipëri. Në fakt kemi parë se rastet e trafikut e drogës nga Shqipëria janë rritur ndjeshëm”, u shpreh Franko Roberti.
Franco Roberti deklaroi se, tonelata me kanabis po zbarkojnë gjithnjë e më tepër në rajonet e Puglias dhe Kalabrisë. “Kemi parë që trafiku i drogës nga Shqipëria drejt Kalabrisë dhe Puglias është rritur ndjeshëm. Flasim për tonelata dhe pikërisht disa ditë para se të shkonim në Tiranë, është sekuestruar një ton drogë në Puglia. Në takim u diskutua për këtë çështje, nga ky zbulim, por prej kohësh kemi verifikuar se trafiqet janë rritur ndjeshëm”, tha Roberti.
Trafiku i drogës drejt Italisë është shtuar së tepërmi sidomos në ditët e para të këtij viti. Vetëm në dy muajt e parë të këtij viti, janë kapur më shumë se 20 ton kanabis sativa vetëm në Ankona të Italisë.

R.POLISI

Artikulli paraprakXhafa, me të njëjtin intensitet si Tahiri në trafikun e drogës
Artikulli tjetërShkarkohen 6 punonjës të ambasadës amerikane për trafik droge