Kryetari i Komisionit parlamentar të Reformës në Drejtësi, Fatmir Xhafaj u përpoq edhe në momentet e fundit para miratimit të Reformës në Drejtësi për të bllokuar marrëveshjen, duke vendosur në draftin e zbardhur klauzolën që nuk prek pozitat e kunatit të tij, Sokol Sadushi. Burimet thanë për SYRI.net se, Xhafa ka ndryshuar draftin për të lejuar ekspertet që kanë hartuar draftin të zgjidhen në funksionet drejtuese të drejtësisë. Nuk mundet që ekspertët të hartonin një draft për vete. Kjo ishte edhe akuza që ka pas në mënyrë konstante për ekspertët, por që ishte arritur në përfundimin ndërmjet palëve që ata nuk do të kishin të drejtë të merrnin funksione për shkak të konfliktit të interesit. Por, Fatmir Xhafa ka bërë surpizën e fundit, kur ka zbardhur draftin, duke hequr këtë pikë të marrëveshjes, e gjitha kjo për kunatin e tij, juristin dhe hartuesin Sokol Sadushi. Më herët, Berisha përmes një deklarate për mediat paralajmëroi skenarin e Xhafës për të falsifikuar draftin me qëllim draftin. “Sokol Sadushi, që duhet ta them prapë, është civilist, padiskutim i zoti, por donte një Gjykatë Administrative ku të ishte kryetar. Pra, duhet t’i ndërtonim Sadushit një Gjykatë të Lartë Administrative në mënyrë që shkëlqesia e tij të shkëlqente në majë të saj, por këtë shteti nuk ia kishte borxh”, u shpreh Berisha në reagimin e tij. Fatmir Xhafa deklaroi mbrëmjen e së mërkurës se drafti që do të kalojë për miratim në Parlament nuk përfshin kërkesën e bërë nga Komisioneri për Zgjerim i BE, Johanes Hahn, sipas të cilit monitoruesit ndërkombëtarë do të kenë vetëm rol rekomandues, por jo vendimmarrës. Sipas Xhafës, me projektin e dorëzuar në Parlament, monitoruesit ndërkombëtarë do të kenë mundësi që të përjashtojnë nga procesi i Vetingut, prokurorë dhe gjyqtarë që nuk plotësojnë kushtet. Po ashtu, Xhafa ka shpallur edhe rrëzimin e rekomandimit të Ndihmë/Sekretares amerikane, Nuland sipas të cilit, formula hibride e propozuar prej saj do të shtrihet në katër institucionet e reja të drejtësisë, ndërsa Xhafa tha mbrëmë se ajo do të aplikohet vetëm për dy nga këto institucione. Deklarata e Xhafës hedh poshtë çdo kompromis të përshëndetur dje nga Kancelarja Merkel dhe Bashkimi Europian dhe injoron SHBA. Ndërkohë socialistët nxorrën si pretekst mos rënien dakord me draftin Hahn dhe propozimet e bëra në draftin hibrid nga Nuland. Por nga ambientet e selisë së Kuvendit, një nga negociatorët e emëruar për të përfunduar me sukses mbylljen e marrëveshjes për Reformën në Drejtësi, përfaqësuesi i LSI-së, Ylli Manjani rrëzoi pretendimet e socialistëve. Sipas Manjanit, ditën e hënë u diskutua mbi propozimin hidrid, propozimi i Nuland. Ai theksoi më tej se, negociatat kanë qenë dypalëshe, PD-PS, ndërsa të hënën u arrit mbyllja me konsensus për çështjen e Vettingut. “Grupi negociator u krijua nga tryeza e kryetarëve të partive politike dhe jo nga Komisioni i Posaçëm parlamentar. Që do të thotë se në qoftë se do të kishim një raport për t’ia dhënë dikujt do t’ia jepnim kryetarëve të partive dhe jo kryetarit të komisionit, që mos kemi asnjë keqkuptim. Së dyti, ne kemi biseduar për më shumë se sa gjysmën e natës ditën e hënë për çështje që kishin ngelur pezull në lidhje me propozimin “hibrid” të znj. Nuland. Ju e dini që, kjo ishte një çështje që kishte të bënte me rolin e monitoruesve ndërkombëtarë në procesin e vetingut, sigurisht duke marrë të mirëqenë se çështjet e tjera ishin të zgjidhura. Megjithatë unë e konfirmoj atë që tha pak më parë zoti Bylykbashi që kam qenë unë që e hapa këtë çështje për ta diskutuar, qoftë edhe për kuriozitetin tim për të kuptuar realisht se si ishte rënë dakord. Sepse duhet t’ju them se kanë qenë negociata dypalëshe. Pra, kanë qenë pra PD dhe PS. Ka qenë kryesisht zoti Agaçi dhe zoti Bylykbashi që janë marrë me këtë çështje dhe që të dy më konfirmuan se ishin marrë vesh për këtë histori”.
Pollo: Nëse sms e diplomatit është autentike, një akt i papranueshëm
“Nëse sms e diplomatit autentike: një akt i papranueshëm; shkelje e vlerave euroatlantike. Madje edhe kontraproduktiv. Duhet refuzuar”. Ka qenë i prerë reagimi i deputetit demokrat, njëkohësisht Kryetarit të Komisionit të Medias, Genc Pollo në lidhje me lajmin e botuar në media mbi një sms të drejtuar deputetëve nga një diplomat ku kërkohej vota për Reformën në Drejtësi përmes kërcënimit. Ndërkohë, në një tjetër postim, Pollo shprehet: “Tani edhe dy problemet surprizë të së hënës në mesnatë u zgjidhën siç lipsej për të mirën publike dhe siç e kërkoi me insistim e jo pa kosto PD. Një shikim pas nga projekti kushtetues monstruoz i shtatorit 2015, i shkruar nga PS vetëm për të kapur gjyqësorin, na kujton se ai u përmbys e u rishkrua vetëm në sajë të opozitës, të një partie në koalicion, të Komisionit të Venecias e të miqve euroamerikanë. Edhe pse nuk është një reformë e përsosur, ajo lë shumë probleme pa zgjidhur si p.sh. vonesat e stërgjata në vendimdhëniet gjyqësore, amendimet kushtetuese meritojnë të votohen nga të gjithë deputetët nesër në Kuvend. Siç e dimë fare mirë zbatimi i mirë është kyç për suksesin e çdo reforme. Kontributi në proçes sipas ligjit dhe ndjekja e proçesit në tërësi është detyrë për PD”.
Mediu: Reforma, fund vuajtjeve të shqiptarëve
Për kryetarin e Partisë Republikane, Fatmir Mediu, reforma në drejtësi duhet t’i japë fund kalvarit të vuajtjeve të qytetarëve shqiptarë, duke e vënë theksin kryesisht edhe tek çështja e pronësisë. Mediu tha se qytetarët shqiptarë duhet t’i zgjidhin problemet e tyre jo në Gjykatën e Strasburgut, por në gjykatat shqiptare. Sipas tij, reforma duhet t’i shërbejë shtetit të së drejtës. “Reforma në drejtësi duhet t’i japë fund kalvarit të vuajtjeve të qytetarëve shqiptarë. Kjo reformë duhet t’i shërbejë shtetit të së drejtës”, tha Mediu. Ai theksoi se opozita u përfshi në proces dhe insistoi për konsensus që në fillim. “Opozita u përfshi në këtë reformë me bindjen se ka nevojë për një drejtësi të pavarur dhe të pa kapur politikisht. Kemi bindjen se është një proces i rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë në BE. Asnjë votim i njëanshëm, asnjë pazar politik s’mund ta zëvendësojë dot vullnetin politik për konsensus të këtij Kuvendi”, u shpreh Mediu. Gjithashtu ai tha se: “Është e domosdoshme që pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese të miratojmë ligje të thjeshta për qytetarët dhe jo të politikës. Konsensusi, ishte parimi që synuam ta respektonim. Asnjë Pazar politik nuk mund ta zëvendësonte. Reforma t’i shërbejë shtetit të së drejtës”. Mediu e ka quajtur konsensusin e arritur nga palët politike për draftin e Reformës në Drejtësi, si konsensusin e qytetarëve. “Ky është konsensusi i qytetarëve pa dallime politike, rruga e vetme për integrimin në BE. Kemi bërë shumë ligje, por problemi më i madh mbetet implementimi i tyre. Mbas miratimit duhet të shikojmë me vëmendje të miratojmë ligje sa më të thjeshta dhe që implementohen,” tha Mediu. Më tej gjatë fjalës së tij në Kuvend, kreu i PR tha se reforma duhet t’i shërbejë shtetit të së drejtës dhe qytetarëve shqiptarë. “U përfshimë në këtë proces sepse kemi bindjen se është proces i rëndësishëm. Opozita ka patur durimin dhe kthjelltësinë për të përcjellë shqetësimet e saj, në mënyrë që drejtësia të mos ishte kapur politikisht, por që t’i shërbej të drejtës,” tha ai.
Propozimi i PD dhe rekomandimi i Venecias
Propozimi i Partisë Demokratike ishte në përputhje të plotë me rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias. Në rekomandimin e Komisionit të Venecias në opinionin final thuhej se, roli i ndërkombëtarëve duhet të ishte thjeshtë dhe vetëm si vëzhgues, ndërkohë që pjesa e marrjes së vendimeve i kalonte autoriteteve shqiptare. “Kompetencat do të konfirmojnë pozicionin e vëzhguesve ndërkombëtarë si rojtarë që sigurojnë veçanërisht transparencën e procesit, ndërkohë që pushteti vendimmarrës të mbetet në duart e organeve vendase (paragrafi 73). Pushteti i vëzhguesve ndërkombëtarë duhet qartësuar; ata duhet të kenë të drejta proceduriale, por asnjë pushtet vendimmarrës (rekomandimi i paragrafit të famshëm 88)” thuhet në opinionin e Komisionit të Venecias. Në të njëjtën frymë me Komisionin e Venecias, Partia Demokratike bëri propozimin e saj në lidhje me rolin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. “Vëzhgues nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit. 1) kanë të drejtë të marrin pjesë në seancat e shqyrtimit të kandidatëve pa asnjë kufizim. 2) kanë të drejtë të ketë akses të plotë dhe të papenguar tek çdo dokumentacion që administron komisioni 3) kanë të drejtë të dorëzojnë pranë Komisionit ad hoc dokumentacion në përputhje me Ligjin e Dekriminalizimit, 4) Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit ka të drejtë t’i dorëzojë Kuvendit një raport të detajuar me vlerësim për secilën kandidaturë. Raporti i vihet menjëherë në dispozicion çdo deputeti përpara se të fillojë votimi dhe përzgjedhja e kandidaturave. 5) Kuvendi voton për kandidatët që nuk kanë asnjë njollë”, thuhet në propozimin e Partisë Demokratike.
A.Shahini