Pasuritë e familjes “Xhafaj”, SPAK nuk po i prek as tani që i ka duart të lira, e jo më kur komisioni parlamentar i drejtuar nga Fatmiri, të fillojë presionet për kapjen e tij…
Është asburde ta mendosh, që Fatmir Xhafaj të drejtojë komisionin e posaçëm parlamentar “Sundimi dhe zbatimi i ligjit e anti-korrupsioni”; me të cilin, kupola e pushtetit, do shantazhojë, paralizojë e marrë nën kontroll SPAK-un, GJKKO dhe krejt institucionet e drejtësisë.
Sipas ligjit për dekriminalizimin, Fatmir Xhafaj nuk duhet të jetë as deputet, sepse ka qenë ish-hetues i diktaturës, ndërsa vëllai i tij Geron Xhafaj alias Agron Xhafaj, është dënuar me burg në Itali, si drejtues i një grupi të strukturuar trafikimi ndërkombëtar të drogës.
Por kryeministri Edi Rama, nëpërmjet deputetëve të PS e emëroi Fatmir Xhafajn, kryetar të komisionit që do monitorojë dhe gjoja do reformojë institucionet e drejtësisë së re, ndërsa në vitin 2016 e emëroi kryetar të reformës në Drejtësi e me pas Ministër të Brendshëm.
Sipas deklaratave të Edi Ramës e Fatmir Xhafajt, dhe sipas programit faktik të komisionit parlamentar, ky komision do monitorojë SPAK-un për gjoja rritjen e efektivitetit të punës së tyre, por faktikisht do ta shantazhojë e do të bëjë ndërhyrje në Kushtetutë e Kodin Penal.
Logjikisht, edhe sikur komisioni parlamentar “Xhafaj” të mos ketë qëllim paralizimin dhe peng-marrjen e SPAK-ut, të Gjykatës së Posacme e institucioneve të drejtësisë, Fatmiri si kryetar apo qoftë dhe anëtar i komsionit, është në konflikt të hapur interesi.
Sepse është subjekt i ligjit Anti-mafia, meqënëse i vëllai i tij, Agron Xhafaj, është i dënuar me burg për trafik ndërkombëtar droge.
Pra, Fatmir Xhafaj po drejton komisionin dhe ekspertët, që do të kontrollojnë, vlerësojnë e do marrin vendime për punën e Altin Dumani dhe për prokurorët e SPAK; të cilët, sipas ligjit Anti-Mafia, vëllain trafikant, Fatmirin dhe familjarët e tij i kanë subjekt hetimi pasuror.
A do lejojë Fatmir Xhafaj, t’i hetohet e sekuestrohet pasuria e tij, gruas, vajzave, dhëndurëve, kunatit dhe të vëllait, Agronit, Albanit e familjarëve të tyre?
Deri tani, SPAK nuk ka nisur hetim pasuror për trafikantin Agron Xhafaj dhe as për deputetin Fatmir Xhafaj; mos veprim, që po përflitet si ndërhyrje dhe ndikim i vetë Fatmirit te segmentet brenda SPAK-ut.
Madje prej këtij ndikimi, vëllai trafikant Agron Xhafaj nuk u fut as në listën e OFL-së, megjithëse drejtësia italiane kishte dërguar dosjen e dënimit me burg dhe kërkesën për arrestimin e tij si person në kërkim.
Në 2 ditët fundit, SPAK ka sekuestraur pasuri miliona Euro të 3 trafikantëve, ndërsa gjatë 5 viteve aktivitet, ka sekuestruar pasuritë e 142 trafikantëve të drogës, mes tyre dhe bashkëpunëtorë të Agron Xhafajt./Pamfleti