Federata e opozitës përballë cinizmit të Realizmit

Nga Ben Andoni

Nuk ka bërë përshtypje ose nuk ka mundur të krijojë dot ndonjë impakt propozimi i përbashkët i partive të vogla opozitarë me qëllim bashkimin. Kreu i PR-së, që në një farë mënyre ka shërbyer dhe si boshti i kësaj iniciative, Fatmir Mediu, nën praninë e aleatëve të tjerë opozitarë, ka shpallur propozimin për krijimin e federatës së opozitës, nën moton “Edhe pse të ndryshëm, kemi një qëllim të përbashkët, një Shqipëri evropiane”. Qëllimi duket bash ambicioz, pasi Federata pritet që të ketë një emër, një program politik dhe një logo.

A është reale kjo iniciativë? Në thelb jo, por e nevojshme jashtëzakonisht shumë pikërisht për shkak të Realizmit të gjendjes së përçarë, ku ndodhet PD, partia kryesore. Realizmi është një metodë, që ka bërë shumë emër në zhanre të ndryshme të artit. Dikur quhej Realizëm i plotë, pasi gjëja më e rëndësishme ishte që ky realitet të mos përjashtonte asgjë nga përditmëria “për hir të konvencioneve estetike ose të moralit borgjez”, do shkruajë në esetë e tij Elias Kaneti. Ky realitet që më shumë i referohej situatave të dekadave të shkuara, tashmë merr sens për ata që i referohen realitetit tonë, që në dukje po konsiderohet e dorës së dytë!

Nëse për publikun është gati tragjike ngërçi i opozitës, pjesa e PD-së, dukshëm e ndarë në dy kahe e refuzon dukjen e këtij realiteti dhe këtë qenësi të dorës së dytë. Të tillë e konsiderojnë sot nevojën e publikut për të parë një zë të unifikuar. Ja pse ndoshta mund të vlerësohet si ide pjesa e organizimit të Federatës së partive të vogla, por që të marrë jetë duhet që ata të parët të përballin realitetin. Për fat të keq, ata janë po aq të përçarë dhe të paqartë për rolin e Berishës, por edhe aspekteve kryesore, sesi mund të sillen palët e tjera politike që të jenë pjesë e Federatës.

Është e vërtetë, ajo që shprehet Mediu, sipas të cilës opozita, vetëm e bashkuar mund të ndryshojë realitetin politik në Shqipëri. Madje, “kjo federatë do të mandatojë një grup deputetësh, përfaqësues për marrëdhëniet dhe diskutimin me partnerët ndërkombëtarë, për çështjet me rëndësi për vendin dhe rajonin”. Anipse, të lodh dhe të trishton kaq shumë sensi për realitetin dhe mënyra sesi perceptohet opozita nga vetë opozita saqë kupton se jemi në një qerthull të lodhshëm. “Duhet të dallojmë tri aspekte thelbësore të këtij ndryshimi, Së pari, ekzistenca e një realiteti që shtohet; së dyti, një realitet më i saktë; dhe, së treti, realiteti i të ardhmes”, shton nobelisti Kaneti.

Për fat të keq, PD-ja (e dy apo tre krahëve nuk po shikon një realitet që po ndryshon kundër saj), nuk e percepton dot realitetin e tanishëm me ndarjen e frikshme dhe me humbjen e kohës dhe kështu e ka të vështirë që të perceptojë edhe të ardhmen. Ndaj, kjo e bën këtë iniciativë, që të ketë qëllim të mirë, por që teknikisht të mos ngjallë dot besim, para “apatisë” së njerëzve që nuk e duan ndryshimin për ndryshim. Dhe, ky është rasti kur përballet qëndrimi me PD-në (e supozojmë të bashkuar). Në një formë më realiste, njerëzve të politikës (në rastin tonë lexo: PD-së) duhet t’i kërkohet që të paktën të përmirësohen, pasi kështu do të thotë të ndryshojnë; kurse të jesh perfekt (e pamundur për ta) do të thotë të ndryshosh shpesh, shprehej në këtë logjikë me cinizëm Çurçill, duke dhënë një mesazh nga koha sesi PD-ja duhet të shikojë cinizmin e Realizmit, që tashmë po e përball dhe lëvizja e idesë për një Federatë të partive të vogla të opozitës. (Javanews)

Exit mobile version