Partia Demokratike është e vendosur në qëndrimin e saj, se nuk do të ketë asnjë bashkim me grupin e Rithemelimit dhe të Gazment Bardhit nëse këta të fundit nuk distancohen nga personat non grata. Deputetja e Partisë Demokratike Flutura Açka në një intervistë për emisonin ‘Sot Live në Shqipëri’ me gazetarin Nertil Agalliu tha se nuk mund të shkojnë dhe të bëhen bashkë me një klub që quan SPAK-un bandë kriminale. Sipas Açkës, grupimi i tyre është tashmë një federatë, ndërsa paralajmëroi se nëse elektorati gri shikon këtë përçarje nuk do të afrohet për zgjedhjet parlamentare të 2025.
‘Ata janë në një federatë, nuk është se do të ndodhë ndonjë ndryshim i madh. Fakti që bashkëpunojnë do të thotë se janë në një federatë. Nëse ky konflikt në PD do të vazhdojë demokratët që janë të lidhur me të djathtën, elektorati gri do të refuzojë të marrë pjesë në zgjedhje. Nuk do të afrohen nëse shohin këtë lloj përçarje. Nuk u besoj këtyre bashkimeve artificiale. Nëse nuk bëhet distancimi nga non grata nuk mund të ketë vend për bashkim. Nuk mund të bësh një ftesë në një klub ku shahet SPAK-u si bandë kriminale. Personalja duhet të ndahet nga politika.’- tha Açka.
Duke u ndalur tek konferenca për shtyp e Lulzim Bashës, Açka tha se kryedemokrati duhet të jetë më prezent në media dhe me publikun shqiptar.