Fejsbuk te Guri i Gomares

Nga Edison Ypi

Dy të parët i kapa në Çermë duke ikur mbi biçikleta drejt Divjakës.
-A jeni në Fejsbuk ?
-Po.
-Nga sa miq keni ?
-Unë kam pak, nja 400. Ky ka më tepër, mbi 700.
-A ka të tjerë që janë në Fejsbuk ?
-Të gjithë jemi në Fejsbuk.
Në Dushk shitësi i sharqinjve, një karrocier, një djalosh me BMV, një tjetër që po ikën me vrap, edhe ata mburren që janë në Fejsbuk ku kanë me qindra mikesha njëra më e bukur se tjetra.
Në një restorant në të dalë të Lushnjes shtatë a tetë myzeqarë hanë e pinë duke treguar hollësira nga fejsbuqet e tyre.
Në një tavoline po shajnë qeverinë. Pranë pjatave male me 10 mijë lekësha lidhur me llastik.
-Ju hani pini si derrat, keni pare, toka, prona, makina, udhëtoni, të gjithë jeni në Fejsbuk, dhe shani qeverinë ?!
-Të shan ai që të do. Qeverinë e shajmë se e duam. Ka ca kohë nuk po na ngrihet. Prandaj e shajmë, dhe do ta shajmë, dhe kusur s’do i lëmë, thotë me gojën plot me mish një barkderr, dhe qesh me të madhe barkderri duke përhapur gjithandej cikra mishi dhe pështyme.
Krutje, Zhym, Mërtish, Ngurrëz, Bubullimë, Goriçaj, Këmishtaj, të gjithë shetisin në Fejsbuk.
Ndanë një are një bujk me të birin nja 20 vjeç.
-A je në Fejsbuk ? i them të birit.
-Po, jam. Kam 594 miq, 375 dashnore, mbi 800 fotografi, 440 selfie, marr pjesë në 23 forume, 54 interesime, 37 aktivitete…
-Hë mo, i drejtohem të jatit, ç’ke që rri turivarur ? Shtëpi të re po, arë për të punuar po, djali në Fejsbuk me gjithato dashnore po, ç’kërkon më nga jeta ti ?
Diku më tutje, në një kioskë pranë një restoranti, një mesoburrë me kafe dhe raki përpara.
-Ç’më rri ashtu sikur të janë mbytur vaporrët o Lal Myzeqeje që s’kishe bukë të haje ?!
-Më ka zënë një taksirat. Nuk po fle më tepër se 3 orë në 24 orë.
– Pse ?
– Sepse kam ngut të madh derisa të bëj milionin e parë të Euros. Po e bëra, shpëtova.
Në një tjetër lokal një tip rreth të tridhjetave që s’duket si myzeqar, as si shqiptar, por si parizien, me kafe ujë të gazuar përpara, thotë se ka mbaruar dy fakultete, bujqësorin dhe juridikun, dhe natyrisht është në Fejsbuk, në Myzeqe po s’qe në Fejsbuk je i vdekur.
Parizieni myzeqar llafoset shtruar për Tiranën, Lushnjen, ekonominë, politikën, Fejsbukun, etj.
I them metropolitanit fusharak se mund ta kuptoj prezencën në Fejsbuk të ndonjë hallexhiu të ngeshëm në emigracion apo të një studenteje të vetmuar shqiptare në një vend skandinav. Mirkuptoj dhe mëshiroj edhe një emigrant që i shtyn netët me laptop dhe fejsbuk në ndonjë bodrum, por s’mund ta kuptoj Fejsbukun e kaq shumë myzeqarëve. Përgjigjet me një psherëtimë si kuptimplote, por në fakt sterile.
Pak më tutje më ndal pronari i një restoranti ku veç mishit të derrit aq i preferuar në këto anë, ka dhe mish pate, rose, bibe, dhe mish zhabe. Me sa duket më pat’ parë në distancë tek bëja muhabet me parizienin myzeqar, dhe më thotë;
Ai me të cilin sapo u ndave ra në dashuri në Fejsbuk me një shalgjatë pejane. Familja e saj nuk deshi. Ai lojti. Tani pi kafe dhe bën muhabet. I kanë ngritur këngë;
Ç’ësht ajo që rri te porta
E vështron e tërë bota
Po vajton të vetmin djalë
Që Fejsbuku ja ka marrë
Gjuajtës zhabash anës kanaleve.
Zhabaxhinjtë Ndoni, Loni, Uani, Mondi, Sergei, Kristi, Sokoli, që zhabat ua shesin restoranteve, edhe ata janë në Fejsbuk. Më tregojnë me rradhë numurin e miqve, fotografive, dashnoreve, ndërlikimeve.
Ku ta gjej një myzeqar pa Fejsbuk ? pyeta një dhëmbërënë me kasketë anës rrugës.
Myzeqar pa Fejsbuk ke vetëm në fund të detit, tha, zhytu gjeji.
Drejt Divjakës, nja dhjetë a pesëmbëdhjetë që takova deri prapa kodrave ku nis e duket Karavastaja, të gjithë ata bashkë me familjarët dhe të njohurit e tyre, janë të gjithë në Fejsbuk.
Një prift që për pak desh mu zhduk në një kthesë kishte qënë 17 vite kuzhinier në diktaturë.
-Në atë kohë, që mos ardhtë kurrë, me urdhër të Perëndisë u dhashë për të ngrënë të internuarve të uriturve, tha prifti me një ton prej mirbërësi të përunjur.
Pak përtej kodrave rruga kalon përmes një fshati.
-Si quhet ky fshat ?
-Guri i Gomares.
-A ka te Guri i Gomares që janë në Fejsbuk ?
-Te Guri i Gomares të gjithë janë në Fejsbuk.
Në kafenenë e fshatit dy polica në një qoshe dhe ca djem pranë banakut me birra dhe kafe përpara. Të gjithë ulur. Më këmbë vetëm unë dhe një i moshuar me qylaf myzeqar me antenë në kokë.
Djemtë, pasi rradhitën numrin e miqve, të dashnoreve, të fotografive, thanë edhe me se merren.
Njëri me çizme tha se merrej me drogë.
Tjetri me xhaketë me lara nga ato të NATO-s, tha me mburrje se merrej me trafik.
Një kuqo pohoi me krenari se merrej me kurva, me hashash, me kanabis.
Dy teptilë që rrinin si mënjanë treguan gjith qef raste kur djemtë venë foto vajzash në Fejsbuk dhe e kundërta, kur vajzat venë foto djemsh, si dhe ngatërresa të tjera me sfond erotik.
Një çapkën që sapo hyri dhe dëgjoi për çfarë po flitej, tha;
-A jam unë në Fejsbuk ? Unë nuk e di se ku jam tjetër veçse në Fejsbuk.
Fejsbuku e kishte përdhunuar keqas Gurin e Gomares. Pash’-ç’pash u mbajta një fjalim moralistik;
-Të dashur gurgomaras,
Fshati juaj është i pafundëm. Mos e zvogëloni sa Fejsbuku.
Jeni të shëndetshëm, mos u sëmurni.
Jeni të pasur, mos u varfëroni.
Duke shtuar numurin e miqve dhe mikeshave virtuale humbni miqtë dhe mikeshat reale.
Myzeqeja është më e bukur se Toskana. Mos e shëmtoni.
Ju jeni shkaba. Mos u bëni buburreca.
Dilni nga internet kafenetë.
Mos e zëvendësoni perëndimin e përgjakur të diellit të Karavastasë me ngjyrat e rrejshme të kompjuterit.
Duke u kthyer, në Maminas rashë me gjithë makinë në një kanal plot me ferra dhe baltë.
Erdhi më nxori një polic trupmadh.
Që edhe ai ishte në Fejsbuk.

Exit mobile version