(Shënime për romanin “Pusi” të Kim Mehmetit)
Nga Namir Lapardhaja
Kush ka ndjekur me vëmendje angazhimin intelektual dhe publik të Kim Mehmetit nuk e ka të vështirë të kuptojë që në faqen e parë të romanit “Pusi” se kemi të bëjmë me një vepër autobiografike. Fëmijëria, e kaluara, identiteti i mbështetur thellë në rrënjët e traditës, kujtimi për nënën, si mishërim i një bote ekzotike, ndërthuren me një leksik të përzgjedhur gjuhësor, ku gërshetohen letërsia, eseistika dhe publicistika.
Fshati në roman i ngjan një Makondoje të vogël, ku zë fill jeta dhe gjithçka në të universalizohet nga historia e një familjeje, kurse kulla shërben si kujtesë që e mban të lidhur fort pas trashëgimisë së të shkuarës. Në thelb, “Pusi” është një roman për Veten, sepse “duke rikujtuar nënat,… rijetojmë fëmijërinë dhe rininë e hershme, e duke ringjallur në kujtesë vitet e fundit të etërve tanë,… parajetojmë pleqërinë dhe frikën drejt ecjes drejt fundit jetësor”.
Romani i ngjan një palimpsesti fëmijëror, ku rrëfimtari udhëton në ëndrrat e veta, kurse nëna është boshti kryesor rreth së cilës vërtiten ato.
Pusi në vepër shërben si epifani për të hedhur në mënyrë të pavetëdijshme rrjetën thellë në detin e kujtesës dhe për të nxjerr prej andej trëndafila kacavjerrës, që e mbulojnë dhe rrethojnë atë, lëshojnë erë të mirë rreth dhe përbrenda tij, së bashku me shtëpinë e fëmijërisë të ringjallur tek duart e nënës, e cila ledhaton njëlloj fëmijët dhe dheun ku mbjell lule.
Kur familjes i duhet të largohet nga shtëpia e vjetër, nëna sëmuret, lulet vyshken, peshqit e pusit, që kishin shërbyer si mahnitje, ngordhin. Çifti antonimik e re-e vjetër, tradicionale-moderne, pluskon vazhdueshëm, kurse përpjekja e përhershme për ruajtjen e traditës nuk ndalet përgjatë gjithë veprës. Stofi i tregimtarisë në këtë roman thuret natyrshëm si domosdoshmëri e shkrimtarit, i cili është thirrur për të mbajtur një fjalë përpara një grupi të rinjsh. I ndërtuar mbi kontrastin, dilemat, retrospektivën dhe ironinë e hollë, ai niset nga e sotmja, udhëton në tejkohësi dhe rikthehet sërish në të tashmen.
Kujtimet të fshehura në pusin e qenies e nisin rrugëtimin e tyre në themelimin e fshatit të ri, ku vendbanimi bëhet vendlindje dhe varrezat bëhen vendvdekje, dhe ku “mallkimi” i së kaluarës i ndjek banorët duke iu shfaqur grave të tyre sëmundje të çuditshme dhe të panjohura, ku shiu bie papushim për shtatë ditë, ku një grup të rinjësh rrahin kryeplakun e fshatit para fëmijëve dhe gruas së tij vetëm se ai ka lajmëruar fshatarët se gjatë përmbytjes ka pasur plaçkitje dhe vjedhje në disa shtëpi, e më pas mbyllet gjithçka ashtu si nisi: shiu pushon, lumi rikthehet në shtrat, gjithçka i kthehet jetës së zakonshme.
Takimi dhe fjala përpara të rinjve i shërben rrëfyesit si fije ku të varë honin e kujtimeve të tij, nga ku del se edhe pas takimit me ta, kujtesa vërshon pavetëdijshëm histori dashurie mes një plaku dhe vashe të re, që dashuronin marrëzisht njëri-tjetrin, por që nëpërmjet saj përcjell mesazhe universale të raporteve ndërnjerëzore, kurse loja autoriale në të cilën e ka futur narratori lexuesin e mban atë në një gjendje pezulltie mes reales dhe ireales, mes asaj që ka ndodhur vërtet dhe asaj që është trilluar.
Rrëfimet e këtij romani janë të thella, të kulluara, erëmira, degëzohen, bulëzojnë dhe nuk vyshken. Ndonëse ai është një roman për rrethinat e Shkupit, nuk mungojnë në të historitë për familjet kosovare të shpërngulura nga vendlindja që prej vitit 1962, ku kujtesa i sjell në stacion një “vogëlush sykaltër, me bukuri engjëllore”, që e bën shkrimtarin të mendojë se ai me ata sy të bukur dëshiron të shohë vendin ku kishte lënë erën e qumshtit të nënës. Ose kur merr në makinë dy të rinj të panjohur dhe i tregon pusin e fëmijërisë së vet, ndërsa ata i tregojnë se në pikën e bardhë në fund të pusit të fëmijërisë, shohin fytyrat e të dashurve, të cilët vrasësit serbë i kishin hedhur në pusin e fëmijërisë së tyre. Nga mbartës kujtimesh, pusi shndërrohet në mbajtës të vdekurish.
Ndonëse rrëfimi përqëndrohet tek nëna si boshti i vazhdimësisë, në të nuk mungon rrëfimi për atin, që i duket si strumbullari rreth të cilit do të vërtitej koha; për gjyshin, i cili qysh në vitet e largta i kishte paralajmëruar bashkëfshatarët e tij se duhet të ishin të vëmendshëm ndaj të panjohurve që vinin në fshat dhe se duhet të bëheshin gati për ditë të vështira, që largohej herë pas here nga fshati për të mos u marrë vesh kurrë se ku vinte e çfarë bënte dhe që kur vdiq u varros në dhomën nëntokësore anës murit të pusit të shtëpisë; në të rrëfehet edhe për kryefamiljarin e fisit, eshtrat e të cilit rruhen sipas një rituali të shenjtë në tabut druri me një qefin të pastër dhe të papluhurosur.
Mjeshtëria artistike, gjuha e zgjedhur, befasia dhe spontaniteti i rrëfimit, e mbajnë gjallë kureshtjen e lexuesit për t’i shkuar deri në fund veprës. Romani “Pusi” i Kim Mehmetit është ndërtuar në formën e një mozaiku, rrëfimet e të cilit, që mund të jetojnë si tregime të mëvetësishme, janë vendosur pranë njëri-tjetrit në një harmoni të përkryer dhe kanë një larmishmëri trajtash, llojesh dhe temash, ndërsa kujtimet e thella të rrëfyesit lexojnë vetveten duke u futur thellë në gjuhë.