Ish-kryeministri Berisha ka publikuar një video, ku fëmijët e shkollës 9-vjeçare “Koli Sako” në Divjakë shihen duke qarë. Berisha ka publikuar mesazhin e një qytetari nga Divjaka, i cili thotë se është hequr mësuesja e klasës së pestë, që i kishte nga klasa e parë nxënësit dhe i njihte problemet e tyre. Sipas tij, prindërit nuk kanë qenë dakord, pasi ajo është zëvendësuar me një të paaftë dhe të mbështetur nga pushteti.
“Revolta e fëmijëve! Shikoni se si i traumatizojnë fëmijët në shtetin e Noriegës, duke ua larguar mësuesen. Lexoni mesazhin dhe shikoni videon e prindit dixhital!”, shkruan Berisha.
“Përshëndetje zoti Berisha, po ju drejtohem si e vetmja shpresë për veten dhe fëmijën tim. Kam vajzën në klasë të pestë në shkollën 9-vjeçare “Koli Sako”, Divjakë, më datën 2 tetor zëvendësuan mësuesen që i kishte nga klasa e parë e në vazhdim, arsyeja që dhanë ishte justifikim banal jo objektiv, ne protestuam duke mos i dërguar fëmijët në shkollë për dy javë rresht, i bëmë peticion Drejtorisë së Shkollës dhe Zyrës Arsimore Lushnjë, asgjë nuk u mor parasysh, shumë nga ata fëmijë janë me probleme dhe mësuesja që i kishte i njihte mirë dhe jepte ndihmën që ata donin. Klasa është jashtë kontrollit tani, mësuesja është një e paaftë që ka përkrahje pushtetin, Kokoneshin, madje mësimi filloi si pasojë e kërcënimeve të kryetarit të Bashkisë. Këto verifikohen lehtë! Po ju dërgoj dhe disa video ku shihet reagimi i fëmijëve dhe debati ynë me mësuesen që morì klasën. Flm”, shkruan qytetari.