Para Cristiano-s ishte një tjetër Ronaldo ai që magjepste botën. Ronaldo Nazario de Lima mbetet një ndër personazhet më të dashur për tifozët dhe më të kërkuar nga gazetarët, ndaj prania e tij në Monaco, për shortin e grupeve në Champions League, ishte një mundësi e mirë për të folur gjerë e gjatë.
VALLADOLID – “Së pari, nuk dua të komentoj zërat në Spanjë, se do të blej klubin. Jam i përgjegjshëm për atë që them dhe për momentin nuk kam ç’të them. Askush nuk më mashtron dot dhe nuk dua të mashtroj askënd”.
REAL MADRID DHE CHAMPIONS LEAGUE – “Vazhdoj ta shoh si favorit, edhe pas largimit të Ronaldo-s. Nëse ka një favorit, ai është dhe do të mbetet Real-i, ekip me shumë traditë në Champions League. Edhe Barcelona është kandidate. Ekipet angleze janë përforcuar shumë, por nuk janë në nivelin e Real-it dhe Barcelona-s. Atletiko? Është përmirësuar shumë dhe ka arritur një nivel të pabesueshëm, duke luajtur edhe dy finale në Champions. Duhet të jenë shumë të kënaqur me atë që kanë bërë. Juventus? Ka bërë një goditje fantastike, të paimagjinueshme me Ronaldo-n, por kjo nuk do të thotë që janë automatikisht kampionë. Champions është shumë e vështirë, edhe pse Juventus-i ka një skuadër të shkëlqyer”.
RONALDO TE JUVE – “E kuptoj vendimin e tij, ishte ajo që dëshironte. Kishte dëshirë të ndryshonte ambient dhe ka të drejtë. Madrilenët do t’i jenë përgjithmonë mirënjohës për faktin se ka bërë histori me klubin. Kush e pason? Ndoshta Bale, Real-i ka pasur gjithnjë lojtarë që shënojnë. Një ekip nuk është vetëm një lojtar, edhe pse disa janë superiorë dhe bien në sy, por duhet punuar në formë kolektive”.
NEYMAR – “Nuk e di a do luajë për Real-in në të ardhmen. Asnjëherë nuk ka pasur qartësi në këtë histori. Gjithë lojtarët e mirë i interesojnë Real-it, thuajse gjithë klubet e botës e duan Neymar-in, por nga aty deri tek oferta zyrtare është rrugë e gjatë. Nuk duhet luajtur me ndjenjat e njerëzve, nuk besoj se ka pasur ndonjë tentativë nga Real-i për ta blerë”.
MBAPPE – “Neymar nuk zhvilloi një Botëror të mirë, ishte një muaj i keq. Megjithatë, Neymar, Messi e Cristiano kanë ende diçka më shumë se Mbappe, edhe pse francezi ka potencial të madh, ka shpejtësi dhe teknikë. A më ngjan Mbappe? Nuk e di, nuk e mbaj mend si luaja (qesh)”.
MERKATO – “Reali ka bërë shumë mirë që ka blerë dy të rinj të talentuar si Vinicius dhe Rodrygo. Tregu i futbollit ka ndryshuar, tashmë talentet blihen shumë shpejt, ka disa klube që janë shumë të pasur. Shihni Mbappe, që 19 vjeç shkoi te PSG dhe tashmë është i paprekshëm. Pas triumfit në Champions Real-i ka ndryshuar strategji, mund të rrezikojë dhe të mos blejë lojtarë “galaktikë”.
TOPI I ARTË – “Këtë vit nuk shoh favorit. Është viti i Botërorit, që peshon shumë. As Ronaldo dhe as Messi nuk shkëlqyen në Botëror, të shohim”.
FIKSIMI CHAMPIONS – “Nuk e fitova kurrë, por nuk më krijon asnjë problem kjo gjë. Përkundrazi, kjo gjë më motivoi për shumë vite, për ta kërkuar suksesin, dhe kjo më bëri një futbollist më të mirë. Megjithatë, jam shumë i kënaqur për gjithçka kam arritur në karrierë. Nuk kam asnjë peng, as dëmtimet e shumta, sepse fati vendosi ashtu dhe nga vuajtjet u bëra person më i mirë, njoha vetveten”.
ZIDANE – “Fitoi 3 Champions rresht, si askush, dhe më pas u largua. Vendimi i tij më pëlqeu. E njoh mirë Zidane, është një trajner shumë i zoti, njeri i shkëlqyer, më i miri me të cilin kam luajtur në karrierë. Mund të shkojë te United? Nuk e di çfarë po ndodh në Manchester, por ngadalë me kritikat ndaj Mourinho-s: ai është special, ka fituar shumë”.
BRAZILI – “Mbetemi fabrikë yjesh, por kur vjen momenti për të bërë skuadra, diçka nuk shkon. Duhet të mësojmë nga Europa, 4 kampionët e fundit të botës janë Italia, Spanja, Gjermania e Franca, më parë kishte më shumë ekuilibër”.