“Fergusoni” i ri

Mançester Junajtid nuk po bën një sezon shumë të mirë, por drejtuesit janë gati të mendojnë për të ardhmen dhe të hartojnë plane afatgjata. Mediat angleze janë të sigurta se Zhoze Murinjo mund të jetë Fergusoni i ri i Junajtid, pasi është gati të firmosë një kontratë 10-vjeçare me “djajtë”.
Drejtuesit janë bindur nga plani i portugezit dhe mënyra se si po luan Junajtid, pavarësisht se nuk ka shumë rezultate pozitive dhe duan të bëjnë këtë lëvizje për t’i treguar trajnerit mbështetjen dhe besimin e plotë që kanë. Në të ardhmen do të kuptohet më mirë nëse Murinjo ka dëshirën për të firmosur për 10 vite të tjera, sepse ai njihet si një trajner që ka dëshirë të eksperimentojë dhe të provojë kampionate të ndryshme.
Për ta bindur Murinjon të pranojë diçka të tillë, drejtuesit e Junajtid kanë gati edhe dhuratat për merkaton. Emri më i nxehtë që qarkullon në mediat angleze, por edhe ato italiane është ai i sulmuesit të Atletikos, Antuan Grizman. Junajtid është gati të ofrojë 70 milionë euro drejt klubit të Simeones për ta transferuar francezin në Angli. Pogba do të ketë një rol të rëndësishëm për ta bindur shokun e tij të kombëtares franceze.
Një tjetër lëvizje në sulm është ajo e Ibrahimoviçit. Agjenti i suedezit ka thënë se futbollisti do të qëndrojë në Angli edhe sezonin e ardhshëm duke larguar të gjitha zërat e merkatos. “Ibra nuk është lojtar i mbaruar akoma, që të shkojë të luajë në Kinë. Ai ka dëshirë të qëndrojë edhe një vit tjetër te Junajtid. Do të vazhdojë të japë kontributin e tij në këtë skuadër dhe ta ndihmojë për të arritur rezultate pozitive”, ka thënë Mino Raiola.
Tregu kinez i futbollit po tërheq emra të rëndësishëm lojtarësh dhe trajnerësh, pasi shifrat që ofrohen janë stratosferike. Nuk u ka shpëtuar zërave për një transferim të mundshëm në kampionatin kinez as Zhoze Murinjo, por është vetë trajneri i Mançester Junajtid, i cili sqaron se për të është ende herët t’i japë fund karrierës futbollistike në nivelet më të larta.
“Paratë që vijnë nga Kina po i joshin të gjithë, por unë e dashuroj futbollin e nivelit më të lartë. Në moshën 53-vjeçare, jam shumë i ri për t’iu bashkuar futbollit kinez. Dua të fitoj akoma dhe këtë dëshiroj ta bëj në kampionatin më të vështirë. Këtu jam në vendin e duhur”, u shpreh Murinjo.
Kontrata aktuale që e lidh portugezin me Mançester Junajtid përfundon pas tre vitesh, po tabloidët anglezë shkruajnë për një propozim shumë të rëndësishëm të drejtuesve të “Djajve të Kuq”. Zgjatje të kontratës për 10 vite të tjera. Gjithsesi, 53-vjeçari nuk rrëmbehet nga entuziazmi. “Nuk më kanë ofruar asgjë. Më kanë mbështetur shumë dhe gjithmonë kam menduar se tre vjet janë pak për mua në këtë klub të madh. Unë e dashuroj punën te Mançester Junajtid, këtu e dinë se nëse më ofrojnë një kontratë të re, e firmos menjëherë”, tha ai.

Exit mobile version