Në Maliq, fermerët janë grumbulluar së bashku me mjetet e tyre në rrugën hyrëse të fshatit Drithas. Fermerët nga fshatrat e fushës së Korçës janë mbledhur në një protestë, duke shprehur shqetësimet e tyre për mungesën e tregut për produktet e tyre.
Sipas fermerëve, për shkak të mungesës së subvencioneve, prodhimi i tyre po del me kosto më të lartë. Kjo i bën ata të pamundur për të konkurruar me prodhimet që futen nga jashtë vendit,pasi kanë çmime më të ulëta. Si rezultat, e gjithë prodhimi i qepës, patates, misrit dhe grurit ka mbetur stok, duke u shkaktuar fermerëve humbje të mëdha ekonomike.
Policia ju ka kërkuar atyre të mos bllokojnë rrugën nacionale, pasi nuk kanë leje. Kjo është bërë shkas për konfrontim fizik mes palëve, fermerët nuk kanë pranuar lirimin e rrugës.
Fermerët kërkojnë që qeveria të ndërhyjë me politika mbështetëse dhe subvencione për t’i ndihmuar të përballojnë konkurrencën e produkteve të importuara dhe të sigurojnë një treg të qëndrueshëm për prodhimet e tyre. Ata theksojnë se pa ndihmën e duhur, situata e tyre ekonomike do të përkeqësohet edhe më shumë.