Fermerët në protestë: Qeveria po na falimenton, nuk marrim asnjë kompensim!

Fermerët e Beratit, Fierit dhe të Lushnjës kanë dalë në protestë paraditen e kësaj të Marte për dëmtimet që kanë pësuar në prodhim nga farat e skaduara.

Protesta po zhvillohet në fshatin Samaticë, ku fermerët janë ngritur kundër ministrisë së Bujqësisë për farën e skaduar të domates Ozgan që kanë marrë dhe për pasojë janë dëmtuar në përfitimin e tyre.

Fermerët kërkojnë dëmshpërblim nga shteti. Një pjesë e madhe e tyre shprehet se kanë falimentuar dhe nuk kanë me çfarë të paguajnë kreditë e marra.

Ata kërkojnë një lloj kompensimi nga ana e shtetit përsa i përket farave të cilat atyre u kanë dalë jashtë përdorimit për shkak se Autoriteti Kombëtar i Ushqimit i nxorri si fara të dëmshme që përdoreshin për të rriur produktet.

Fermerët u shprehën se nuk kishin zgjidhje tjetër veçse të largoheshin në emigracion nëse situata e tyre nuk gjente zgjidhje nga ana e qeverisë. Kërkesa e tyre është që të paktën shteti t’i kompensojë për farat që u kanë dalë jashtë përdorimit pasi kanë edhe kredi të tjera të cilat duhet t’i paguajnë për plehrat që kanë marrë për kultivimin e tokës bujqësore.

“Ne kërkojmë të gjendet fajtori qysh tek. Vetëm për farën është kjo luftë. Duam të gjejmë kush është tjetër që merret me këtë punë. Të gjejë drejtësinë. Ne rrimë në serë e punojmë atje jo si tjerët që rrinë në kompjutera.

Nuk e mbjellim dot më. Edhe ajo 10% nuk ka mundësi, nuk e gjejmë dot këtë. Unë kam 3 dynym sera dhe për ato nuk kam marrë asnjë lloj kompensimi. Shteti të vijë e të na mbjelli farën të paktën. Mos të vijë shteti tani të çojë AKU-në e të marrin rryshfet atje e më pas të thonë se kanë marrë.

Fermerët do vazhdojnë derisa tu gjendet e drejta. Nëse shteti nuk merr masa deri në Tiranë do shkojmë do bëjmë grevë urie. Ne nuk kemi më zgjidhje tjetër veçse të ikim në emigracion. Rrezik do vijë banka të na marri shtëpinë tani. Të na japin të paktën farishtet, tjetër gjë nuk po kërkojmë se kemi pa paguar edhe kreditë për plehrat e marra”– u shprehën fermerët.

Exit mobile version