Prof. Dr. Gjok Vuksani
Moti i ftohtë, i ditëve të fundit ka shkaktuar dëme të mëdha në humbjen e jetëve të njerëzve, në bllokimin e rrugëve, në mungesën e ujit të pijshëm etj., por edhe fermerët janë dëmtuar rëndë. Të gjithë fermerët që kultivojnë perime në serra diellore, prodhimi i tyre i vonë dhe fidanët për prodhimin e hershëm në domate, kastravec etj., janë shkatërruar plotësisht. Fermerët që kultivojnë agrume (limonë, portokallë, mandarina) në zonën nga Durrësi deri në Fier janë dëmtuar në një masë të madhe nga ngricat që sapo kaluam. Ky është një dëm i jashtëzakonshëm për familjet e fermerëve, por është një humbje për ekonominë kombëtare, por që askush nuk interesohet për fatkeqësinë e tyre. Nuk ka asnjë mbështetje nga qeveria për dëmet e shkaktuara nga shkaqet natyrore, i kanë lënë të vetëm fermerët në gjëmën e tyre. Duket që gjithë vëmendja e qeverisë e mediave është përqendruar tek top-lista e ministrave apo pse iku gazetari nga një TV tek në tjetër (çfarë i tha, kush i tha, pse i tha), por askush nuk interesohet për hallet dhe fatkeqësitë e rreth 50% të popullit që jetojnë në fshat. Duket që gjithë vëmendja politike përqendrohet në tema abstrakte, të përgjithshme, jo reale, të pamatshme, por jo tek bujqësia, tek fermeri, tek “buka jonë e përditshme”. Prandaj i bëj thirrje Lulzim Bashës që në programin e PD, në vëmendjen e tij të jetë fshati dhe fermeri. Shqiptarët nuk jetojnë vetëm në Tiranë, por nga Lepusha e deri në Ksamil dhe në qoftë se qeveria ka hequr dorë nga fshati, PD-ja duhet patjetër ta ketë atë në qendër të programit të saj.