Ferrari dominon në Sochi

Një vijë e parë nisje e gjitha për “Ferrarin” mungonte prej vitit 2008 në Magny Cours. Prej afro një dekade, kokëkuqja riktheu dominimin në provat zyrtare të Formula 1 në cirkuitin e Sochi. Pista e Çmimit të Madh të Rusisë ka qenë tradicionalisht një prej cirkuitëve të preferuar nga “Mercedes”. Megjithatë, ekuilibrat kanë ndryshuar. Sebastian Vettel do të niset nga “pole position”, përpara shokut të skuadrës Kimi Raikkonen. Kjo është prova më e mirë se në këtë sezon “Ferrari” ka një makinë mjaft konkuruese dhe ka shanse të mira të thyejë hegjemoninë e “Mercedes”.
Xhiroja perfekte e Vettel u regjistrua vetëm në çastet e fundit, ndërsa deri në atë periudhë, piloti më i shpejt në pistë ishte Raikkonen. Vetëm 59 të mijëtat e sekondit diferenca ndërmjet dy “kokëkuqeve”. Në vendin e tretë u pozicionua Valtteri Bottas, 95 të mijëtat e sekondit më i ngadaltë se kryesuesi. Finlandezi u pozicionua përpara shokut të ekipit te “Mercedes”, Lewis Hamilton. Ky i fundit ishte 573 të mijëtat e sekondit larg Vettel.
Beteja ndërmjet “Ferrarit” dhe “Mercedes” bëri që rezultatet e tjera të provave zyrtare të Çmimit të Madh të Rusisë të kalonin në plan të dytë. Riçiardo me “Red Bull” do të niset i pesti, afro 1 sekond e 7 të dhjetat më i ngadaltë. Pas tij u pozicionuan Massa dhe Verstappen. Nga vendi i tetë do të niset Hulkenberg, ndërsa dhjetë vendet e para mbyllen nga Perez dhe Ocon.
Sebastian Fetel ishte më i shpejti në këto prova zyrtare, duke e përshkuar pistën ruse me 1 minutë 33 sekonda e 194 të mijtat. Shumë pranë tij ishte piloti tjetër i “Ferrar”-it, Kimi Raikkonen, ndërkohë që makinat “Mercedes” do të jenë në vijën e dytë të nisjes së garës.
Tek skuadra gjermane, ai që u shfaq më mirë në pistë ishte pikërisht Valteri Bottas, i cili shënoi kohën e tretë më të mirë me 95 të mijtat më shumë se Fetel, ndërkohë që Luis Hamilton këtë radhë u mjaftua me vendin e katërt. “Red Bull” i pozicionoi pilotët e saj Riçardo e Verstapen respektivisht në vendin e 5 dhe të 7, ndërkohë që mes tyre ishte braziliani Masa me Uilliams.

Artikulli paraprakRaul kalon Mbape
Artikulli tjetërXhaka dhe Basel festojnë titullin