Shqiptarët zgjodhën të kalonin festat e nëntorit jashtë atdheut. Agjencitë e udhëtimit raportuan prenotime të larta në krahasim me një vit më parë, duke qenë se ishin katër ditë pushim (26-29 nëntor). Pjesa më e madhe e prenotimeve u bënë rreth një muaj më parë, gjë që i favorizoi për të marrë çmime më të lira. Drejtuesit e agjencive turistike thanë për “Monitor” se këto ditë pushimi iu dhanë mundësi shqiptarëve që të realizonin udhëtime, përtej vendeve fqinje.
Krahas Mavrovës e Kolashinit (ku mungesa e borës zhgënjeu disi) shqiptarët udhëtuan deri në Dubain e largët, por edhe në Spanjë, Gjermani, Bullgari etj. Familjarët ishin ata që preferuan destinacione të afërta, ndërsa grupet kishin përzgjedhur ture që përfshinin vizita në disa destinacione.
Drejtuesit e agjencisë “Sava Tours” thanë se katër ditët e pushimit mundësuan ndërmarrjen e këtyre udhëtimeve. “Ndodh shpesh që njerëzit kanë dëshirë të udhëtojnë, por nuk kanë mundësi dhe fakti që fundjava pasoi dy ditët e festave, atë të Pavarësisë dhe Çlirimit, e bënë më të lehtë organizimin e tureve edhe në destinacione të largëta. Dubai ishte një destinacion që u preferua nga grupe turistësh shqiptarë. Qëndrimi për 5 ditë kushtoi rreth 650 euro për person dhe ky ishte një çmim i favorshëm. Kryesisht u zgjodhën ato destinacione që mund të arriheshin me një avion të vetëm, pra pa bërë tranzit. Si të tilla, e që vijuan listën e preferencave, ishin edhe Italia (Pisa, Romë, etj.), por edhe Greqia (Selanik 150 euro për person, tre ditë) e Spanja. Prenotime pati edhe për Stambollin, me tri ditë qëndrimi. Vendet fqinje, si Maqedonia apo Mali i Zi, duke qenë afër vizitohen kryesisht në mënyrë individuale. Megjithatë në tërësi ne kemi konstatuar një kërkesë më të lartë për të udhëtuar jashtë, në këtë periudhë, në krahasim me një vit më parë”.
Edhe drejtuesit e agjencisë turistike “Union Travel” konfirmojnë kërkesën e lartë për rezervime, ndërsa shtojnë se shqiptarët sërish nuk heqin dorë nga vesi i të lënët të gjërave në minutë të fundit. Natyrisht në këtë sektor kjo kushton, pasi do të thotë më shumë para. “Ata që rezervuan herët, rreth 3 apo 4 javë më parë, arritën të merrnin oferta të leverdisshme. Por, e kundërta ndodhi me ata, të cilët kërkonin oferta të minutës së fundit, kur edhe çmimet ndryshojnë”, thonë drejtuesit e kësaj agjencie. Sipas tyre, pati më shumë udhëtime në grup, por edhe familjarë. Ndërsa destinacionet që u preferuan për Festat e Nëntorit ishin Sofja (99 euro për person për 3 ditë), Bukureshti (199 euro për 5 ditë), Italia (Pisa 199 euro për person), apo edhe udhëtime që kishin dy apo më shumë destinacione. Më i veçanti ishte ai i Gjermani–Vjenë, që iu dha mundësinë vizitorëve të shihnin disa destinacione.
Për drejtuesit e agjencisë “Explorer Travel”, vendet fqinje e kanë studiuar këtë trend të shqiptarëve për të lëvizur në këto festa dhe u përpoqën që të tërhiqnin me oferta të mirëmenduara me çmime të favorshme. Sipas tyre, kjo tregon për strategjitë e tyre të prenotimeve, që duhet të ndiqen edhe brenda vendit nëse do të duam që të mbajmë më shumë turistë këtu. “Ofertat ishin tejet tërheqëse, pasi pati çmime që llogariteshin nga 89–189 euro. U preferuan udhëtime në destinacione si Stambolli (189 euro për person), por edhe në Kroaci, Bullgari, Greqi etj. Mali i Zi dhe Maqedonia u zgjodhën kryesisht për fundjavën dhe nga familjarë. Por, mund të konfirmojmë se këtë vit, kërkesa dhe prenotimet kanë qenë më të larta. Dy janë arsyet: çmimet e favorshme të paketave dhe katër ditët e pushimit, që nuk është se ndodh shpesh. Shqiptarët, ditën si t’i shfrytëzonin”.
Sipas drejtuesve të agjencive, kjo tendencë pritet të vazhdojë edhe për festat e fundvitit.