Duket se këtë radhë nuk do të ketë asnjë lloj kthimi prapa nga plani për kalimin e Milanit te grupi i biznesit kinez. Kompania “FININVEST”, e cila menaxhon aksionet e skuadrës italiane për llogari të familjes Berluskoni, ka konfirmuar se dje i kanë mbërritur edhe një pjesë tjetër e parave që kinezët u detyroheshin që nga momenti i firmës. Në komunikatën për shtyp të lëshuar nga “FININVEST”, konfirmohej se ishte paguar pjesa e dytë e shumës prej 100 milionë eurosh të paracaktuar në momentin e firmës së kontratës mes palëve. 15 milionë euro i ishin paguar menjëherë klubit, ndërsa 85 milionë euro të tjera ishin lëvruar sot nga konglomerati kinez.
Tanimë parashikohet që kinezët të paguajnë edhe 420 milionë euro të tjera në arkat e kompanisë brenda fundit të muajit nëntor, për të bërë të tyrin këtë klub. Ndërkaq, bashkë me konfirmimin e palës italiane, është publikuar edhe një lajmërim nga “Sino-Europe Sports”, pjesë e konglomeratit kinez që menaxhon bizneset e saj në kontinentin tonë.
“Blerësit do të vendosin në dispozicion të AC Milan shumën e 350 milionë eurove gjatë tre viteve të ardhshme. Objektivi ynë është të kthejmë këtë skuadër legjendare në nivelin e klubeve më të mëdhenj në botë”, ishin fjalët e Li Jonghong, presidentit të “Sino-Europe Sports”, i cili konfirmoi kësisoj se do të bëheshin investime të mëdha në vitet në vijim, sapo të përfundonte procesi i blerjes nga familja Berluskoni.
Fabio Kapelo ka bërë një analizë në lidhje me atë që pret të ofrojë sezoni i ardhshëm futbollistik. Natyrisht që duke kaluar shumë vite në radhët e kuqezinjve, pyetja e parë do të kishte qenë për Milanin, klub i cili nga 1 janari 2017 do të jetë në pronësi të kinezëve. “E kam thënë dhe nuk lodhem ta përsëris se Silvio Berluskoni është presidenti më i rëndësishëm në Itali, por në të njëjtën kohë Berluskoni reshti së bëri Berluskonin në vitet e fundit. Silvio nuk shpenzon më si një kohë. Unë jam shumë i lidhur me të dhe i detyrohem pjesën më të madhe të karrierës sime. Por tanimë burimet financiare i ka Kina dhe vendet arabe. Sot është e vështirë që të konkurrosh me super fuqitë aziatike, prandaj mendoj se edhe në këtë rast, Berluskoni bëri lëvizjen e duhur, ndonëse ky Milan nuk është ai nga i cili mund të priten surpriza të mëdha dhe të bukura, të paktën sivjet”, u shpreh Kapelo.
Ndërkohë, Gigi Donnarumma “snobon” Realin e Madridit. Portieri i talentuar i Milanit gjatë merkatos së verës ishte një objektiv i “Los Blancos”, por madrilenët hasën në rezistencën e kuqezinjve. Në një intervistë për mediat italiane, 17-vjeçari pohoi se ai mendon vetëm për Milanin. Donnarumma vijoi më tej se objektivi i tij i vetëm është të stërvitet sa më shumë dhe të vazhdojë të përmirësohet si lojtar. Megjithatë, portieri italian deklaroi se të ardhmes nuk i dihet dhe se në futboll gjithçka mund të ndodhë.