Futbollisti i përfaqësueses së Gjermanisë, Shkodran Mustafi shënoi golin e parë të avantazhit për Arsenal në fitoren e “Topçinjve” 3-2 ndaj Cardiff, gjithsesi futbollisti me kombësi shqiptare, më shumë se për golin e tij u bë protagonist për festimin që bëri bujë në Angli. Me dy duart e ngritura, me gishtat e mëdhenj të ndërthurur, në formën e dy kokave dhe gishtat e tjerë që lëviznin në drejtime të kundërta në referencë të krahëve të shqiponjës dykrenare që përfaqëson flamurin kombëtar të Shqipërisë, Mustafi rrezikoi fuqishëm dënimin nga Federata e Anglisë.
Gjithsesi, pas dyshimeve dhe aludimeve mbi një penalizim të mundshëm, pasditen e të hënës, tabloidi britanik “Mirror” ka njoftuar se Shkodran Mustafi i ka shpëtuar dënimit të FA, për atë që u konsiderua si një gjest politik. Festimi i Mustafit me shqiponjë në drejtim të Xhakës, erdhi menjëherë si përgjigje ndaj komenteve të ish-mbrojtësit të Liverpool, Stephane Henchoz, që së fundmi foli për festimin e njëjtë të bërë nga Xhaka dhe Shaqiri gjatë Kupës së Botës, në Rusi, në fitoren e Zvicrës ndaj Rusisë.