“Festova shumë se jam edhe tifoz i Interit”, Asllani: Kurrë nuk e kisha imagjinuar këtë çmenduri

Flamurin shqiptar nuk e hoqi kurrë që nga fillimi i festës me autobus deri kur skuadra mbërriti në “Duomo”. Kristjan Asllani ishte një nga protagonistët e festës zikaltër, tashmë i përfshirë maksimalisht në grupin e skuadrës. Me buzëqeshjen që nuk iu largua nga fytyra si për të treguar se ishte njeriu më i lumtur në botë, shpeshherë edhe me ndonjë goditje nga euforia e shokëve të skuadrës, Kristjan festoi si i çmendur. Nuk ngurroi që në autobusin e festës të merrte edhe një banderolë të “Inter Club Albania”-s që konfirmonte se Shqipëria ishte prezentë në festë.

asllani

Kristjan, e prisnit kaq shumë dashuri dhe mbështetje nga ana e tifozëve?

Të jem i sinqertë nuk besoja që do të kishte kaq shumë njerëz. Po më dhemb koka nga koret dhe këngët e shumta. Por jemi shumë të kënaqur që i shohim tifozët tanë të lumtur. Është një krenari për të gjithë sepse ata kanë qenë të rëndësishëm për të na dhënë mbështetje në çdo moment.

Ju bëtë një zgjedhje të fortë sepse edhe pse kishit përpara në hierarki Brozoviçin dhe Çalhanoglunë qëndruat. Mund të ishte më e lehtë që të huazoheshit në një tjetër ekip. Mendon se qëndrimi ishte gjëja e duhur?

Unë që në sezonin e kaluar vendosa që të qëndroja, pastaj erdhi largimi i Brozoviçit dhe shanset që të luaja këtë sezon ishin më të mëdha. E dija që përpara kisha një lojtar të fortë si Hakan Çalhanoglu, të cilin e shoh përditë në stërvitje. Jam rritur dhe jam përmirësuar shumë prej tij. Kam pasur një raport të shkëlqyer me të. Më flet si brenda dhe jashtë fushës së lojës. Dua ta falënderoj atë, ashtu si të gjithë skuadrën. Jemi një grup lojtarësh të përulur dhe kjo është e rëndësishme.

Kush ka qenë kapiteni i kësaj feste të Interit?

Të gjithë janë duke festuar si të shfrenuar, por ndoshta tre kryesorët janë Lautaro, Dimarko dhe Barela. Pastaj ka edhe të çmendur si Fratezi dhe Arnautoviç. Më kanë bombarduar me goditje. Po pres me padurim që ta mbyllim këtë sezon që të pushoj 25 ditë. Kam frikë që të reagoj ndaj Arnautoviçit sepse është shumë i madh…

Sa vlen ky titull për ju Asllani?

Për mua vlen dyfish dhe duhet ta pranoj këtë. Unë jam tifoz i Interit. Fitorja e titullit me këtë skuadër është diçka e jashtëzakonshme. Kur kam qenë i vogël kurrë nuk e kisha menduar se do të përjetoja një moment kaq të jashtëzakonshëm. Jam shumë i lumtur dhe shpresoj që të vazhdojmë kështu edhe në sezonet e ardhshme.

Exit mobile version