Nga Xhensil Shkëmbi
15 vite që shet libra në rrugë. Andrea është pensionist, nuk i del ajo që merr nga shteti, 120 mijë lek të vjetra dhe ka gjetur një mënyrë sesi “t’u marrë” ndonjë lek korçarëve – duke shitur libra.
Më bën përshtypje se ngahera rri aty përballë katedrales, buzëqeshur dhe pret kësmetin e vet. Ndaj, vendosa ta intervistoj. Nuk deshi, por e binda.
Të del gjë nga kjo punë apo hiç Andrea?
-Aman e ti, sikur nuk e di, kush lexon libra këtu? Këtu të rinjtë nuk i hedhin sytë, veç pleqtë si unë. Ata që dikur kanë qenë kuadro ose me punë të mira. Që kanë lexuar.
Po çfarë lexojnë korçarët?
-Tolstoy, Anderson, Shakespeare, pëlqejnë këta autorët e vjetër.
Autorët shqiptarë nuk i lexojnë?
-I lexojnë si jo. Kadarenë e duan shumë, Fevziun me Enverin, Ben Blushin e duan shumë, Petro Markon, Dritëro Agollin.
Po kush i lexon këta? Kush i merr me tepër?
-Fevziun e marrin ata me syze, intelektualët, ata që vishen mirë. Petro Markon ata që janë kështu, si demode, që duan të ngushëllojnë veten. Nuk vishen mirë. Ben Blushin e lexojnë kurvarët dhe dashnorët. Po po. Mos më qesh. Kushedi i kopjojnë ndonjë fjalë nga libri për t’i mbushur mendjen dashnoreve.
Andrea, po këtu ke dhe librin Nano-Berisha? Këtë nuk e duan?
-E duan e atë, po gratë që ndezin zjarrin në mëngjes me libra, ose që u mungon letra higjienike. Kështu me thonë. Të fshijmë b*thën në fytyrën e tyre.
I mora një libër të Teodor Kekos, i lashë një 5-çe e ika. Por me qeshej rrugës. Do ketë lexuar shumë libra teksa i shet. Ndaj fliste ashtu…