Fier, ndalen punimet për By Pass-in, punonjësit pa paguar prej 6 muajsh

Në Fier është ndërprerë puna për ndërtimin e By Pass-it që lidh korridorin kryesor të Veriut me Jugun e vendit nëpërmjet lidhjes së autostradave Lushnjë-Fier me Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë. Banorët tregojnë se punëtorët janë larguar prej dy mujash kurse makineritë ditët e fundit. Puna për ndërtimin e By Pass-it të Fierit është ndalur prej dy muajsh. Ditët e fundit janë larguar edhe automjetet që zbatojnë punimet.
Në të tre kantierët përgjatë autostradës nga Mbrostari deri në Levan ka pllakosur heshtja. Por nëse kjo privon udhëtarët nga shkurtimi i distancës Mbrostar-Levan, banorëve të zonës u ka veshtirësuar jetesën. Përmbytja e shtëpive dhe tokave përreth autostradës është pasojë e mungesës së sistemeve të drenazhimit, pasi rruga ka mbetur gjysëm e ndërtuar. Në fshatin Dërmenas ku kalon By Pass-i po ndërtohet një nga katër mbikalimet e parashikuara në projekt. Banorët tregojnë se nuk kanë parë asnjë punëtor këtu prej 2 muajsh.
Nuk dihet nëse kjo është braktisje e punimeve apo një ndalesë e përkohshne. Por mësohet se midis kompanive asaj italiane Serenisima, e cila ka fituar tenderin dhe kompanise shqiptare nënkontraktore CAE ekziston një konflikt që ka hyrë në rrugë ligjore. By Pass-i i Fierit lidh korridorin kryesor të Veriut me Jugun e vendit nëpërmjet lidhjes së autostradave Lushnjë-Fier me Levan-Vlorë dhe Levan-Tepelenë. Punimet nisën në mars 2013 me financimin e BERZh dhe Bankës Europiane të Investimeve. Afati i përfundimit u shty për shkak të motit të keq që shkaktoi edhe përmbytjet e Vjosës ku Serenisima përfitoi 2 milionë euro dëmshpërblim nga kompanitë e sigurimeve. Afati i ri është fundi i vitit 2016. Serenisima fitoi tenderin me ofertën 40 milionë euro, duke e ulur me 20 milionë fondin limit të ofruar nga investitorët.

Artikulli paraprakRevolta e qytetarëve në Gjirokastër për varfërinë dhe faturat e energjisë
Artikulli tjetërTahiri, tender 137 milionë për kontrollin e mjeteve nga policia