Qyteti i Fierit noton nën ujë. Reshjet e dendura të shiut shkaktuan vështirësi në lëvizjen e mjeteve edhe në aksin Fier-Patos. Nga rotondo pranë parkut deri pranë Drejtorisë së Policisë lëvizja bëhet pak me vështirësi, por nuk është i bllokuar. Sipas Policisë së Fierit të gjithë akset janë të kalueshme. Situata është nën kontroll edhe përsa i përket lumenjve.
Kryetari i PD, Luan Baçi e ka cilësuar situatën mjaft alarmante. Baçi shkruan në një postim në Facebook se, Lagjja Mbrostar Ferko Rr. Sokrat Plaku, është në gjendje të mjerueshme si dhe shumë rrugë dhe lagje të tjera të qytetit.
“Bashkia po na bën çdo ditë publicitet pedonalet dhe fasadat e rrugëve kryesore, por qyteti nuk është vetëm këtu. Qyteti është dhe Mbrostar Ferko dhe Afrim, Afrim i Ri, Çeligrad, Kryqëzim i parkut etj…. Investoni në kanalizime, në sistemime. Fieri po mbytet. Qytetarët kërkojnë ndihmë, askush nuk përgjigjet”, shkruan Baçi.
Edhe qyteti i Vlorës noton nën ujë. Rrugët e qytetit të Vlorës janë mbuluar me ujë si pasojë e reshjeve të shumta të shiut gjatë orëve të fundit. I gjithë qyteti ndodhet nën ujë, ndërsa punonjësit e mirëmbajtjes kanë dalë të zhbllokojnë kanalet kulluese. Bulevardi kryesor i qytetit Vlorë-Skelë, rruga pranë portit, rruga pranë lagjes “28 dhe 29 Nëntori”, në lagjen “Kushtrimi”, por edhe disa rrugë të tjera janë mjaft të vështira për t’u kaluar nga drejtuesit e automjeteve, për shkak të pranisë së ujit.
Ndërkohë, moti i keq ka krijuar probleme edhe në Portin e Vlorës. Prej paradites është pezulluar lundrimi detar, situatë që pritet të vijojë e tillë deri ditën e nesërme. Të gjitha mjetet lundruese nuk do të lejohen të dalin në det.