Dion Berisha ka shënuar 5 gola dhe ka dhënë 2 asiste në 12 ndeshjet e luajtura deri tani me ekipin e dytë të Bajernit. Mesfushori i krahut, vetëm 20 vjeç, ishte pjesë e listët fillestare të Alban Bushit te Kombëtarja U-21 për ndeshjet e muajit tetor, por për shkak të problemeve me dokumentacionin nuk mundi të luante për kuqezinjtë dhe u largua nga grumbullimi.
Lojtari i lindur në Lion të Francës nuk mund të luajë në ndeshje zyrtare me Shqipërinë U-21, pasi një muaj më parë, në shtator, ka qenë në fushë me Kosovën U-21 dhe një gjë të tillë rregullorja e FIFA-s nuk e lejon.
Kështu, anësori mund të luajë vetëm në një ndeshje miqësore me fanellën kuqezi ose duhet të presë një ftesë nga Silvinjo në Kombëtaren A në të ardhmen, pasi aktualisht reparti i avancuar është disi i mbipopulluar.
Ndërsa një rikthim te Kosova U-21 është po aq i vështirë për Dion Berishën, pasi këtë muaj ka bërë një zgjedhje e cila nuk besoj të ketë lënë shije të mirë te stafi teknik i Kosovës U-21, megjithatë çdo gjë mund të ndodhë në muajin nëntor, atëherë kur janë dhe ndeshjet e radhës eliminatore.