
FIFA dhe UEFA vlerësojnë gjestin e Angel Villar për dorëheqje nga të gjitha funksionet që ka në këto dy institucione. Presidenti i Federatës spanjolle i arrestuar për korrupsion, respektoi kodin etik të FIFA-s duke u larguar nga funksionet pasi një gjë e tillë parashikohet në kodin e institucionit më të lartë të futbollit botëror. Ndërkohë, presidenti i UEFA-s, Ceferin e cilësoi Villar si një njeri që ka dhënë shumë për futbollin. Vendi vakant i lënë nga Villar në Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s do të plotësohet gjatë punimeve të Kongresit të ardhshëm që do të zhvillohet në Bratislavë në muajin janar.
E ardhmja e David de Geas vazhdon të mbetet e paqartë. Portieri spanjoll kërkohet nga Real Madridi tash e disa kohë. Por, portieri i dytë i Manchester Unitedit, Sergio Romero, i ka bërë thirrje De Geas që mos të largohet nga klubi. “Është më mirë për klubin që ekziston ky rivalitet mes meje dhe Davidit. Është se ekziston një miqësi e madhe mes nesh, ne punojmë shumë për të ndihmuar njëri-tjetrin”, tha Romero.
“Është shumë e rëndësishme që ne të punojmë në këtë mënyrë që të mund të nxjerrim maksimumin nga njëri-tjetri. Po, është mirë për mua, nëse ai qëndron. Ai është mik dhe ne do të vazhdojmë të punojmë shumë për të ndihmuar njëri-tjetrin në stërvitje”, ka deklaruar argjentinasi.
Dëmtimi i portugezit Nani shqetëson Valencian. Portugezi që ka pësuar një frakturë në gju është ende në fazë rikuperimi, por mjekët nuk kanë një përgjigje për datën e rikthimit të tij në fushën e lojës. Me shumë mundësi, Nani do të humbasë minimalisht 2 javët e para të Primera Division kundër Las Palmas dhe Real Madrid.
Nuk dëshiron që në të ardhmen të punojë si trajner, por ka një ambicie më të madhe, të jetë president i Barcelonës. Gerard Pique e zbulon ëndrrën e tij në një intervistë dhënë për mediat japoneze, duke theksuar se vetëm në këtë mënyrë mund të japë një kontribut të madh për klubin që dashuron.