FIFA, gjobë e 2 ndeshje pezullim për Berishën

Pezullim dhe gjobë për Etrit Berishën nga FIFA. Ai episod i shumëdiskutuar me Zahev gjatë ndeshjes me Izraelin, ku u ndëshkua me karton të kuq do t’i kushtojë më tepër gardianit të shtyllave kuqezi. Federata Shqiptare e Futbollit bëri të ditur se, Komisioni i Disiplinës në FIFA në mbledhjen e 9 dhjetorit ka ndëshkuar portierin Etrit Berisha me dy ndeshje pezullim. Veç kësaj mase Berishës do t’i duhet të shlyejë edhe një ndëshkim financiar në masën e një gjobe prej 5 mijë frangash zvicerane.
Giani De Biasit në këtë mënyrë do t’i duhet të bëjë pa portierin e parë të Kombëtares në dy ndeshje të rëndësisë maksimale në fushatën e kualifikueseve të Botërorit Rusi 2018, pasi humbet shërbimet e Berishës për takimin e 24 marsit në Palermo me Italinë, si edhe ndeshjen tjetër që me shumë mundësi do të përcaktojë fatin e kësaj fushate për Shqipërinë, transfertën e 11 qershorit me rivalët e drejtpërdrejtë në grup, Izraelin. Disiplinori i FIFA-s nuk ka lënë pa ndëshkuar edhe FSHF, së cilës do t’i duhet që sërish të paguajë një gjobë, këtë herë në shumën e 10 mijë frangave zvicerane, masë kjo e motivuar nga FIFA, “për sjellje të gabuar të tifozëve”.

Artikulli paraprakAbrashi rinovon me Fraiburgun
Artikulli tjetërFiton Lazio, Palermo çmenduri me Genoan