FIFA ka dënuar Shqipërinë me një gjobë prej 100 mijë frangash zvicerane për incidentet e shkaktuara në ndeshjen me Italinë. Mendohej se do të kishte një dënim më të rëndë pas ngjarjeve që shkaktuan ndërprerjen e takimit në Palermo.
Por FIFA ka vendosur që Shqipëria të dënohet vetëm me gjobë, duke shmangur kësisoj dënimin e fushës apo zhvillimin e ndeshjeve jashtë pa praninë e tifozëve.
Në listën e vendimeve të FIFA-s shkruhet se, gjoba prej 100 mijë frangash zvicerane dhe paralajmërimi për Shqipërinë është dhënë për sjelljen e papërshtatshme të spektatorëve (ndezjen e fishekzjarrëve).
Shqipëria ka shpëtuar vetëm me një gjobë, ndonëse e majme, për faktin se nuk ishte vetë organizatore e ndeshjes dhe përgjegjësinë për kontrollin e tifozëve dhe moslejimin e fishekzjarrëve brenda stadiumit e kishte Federata pritëse. Për këtë arsye, edhe Federata Italiane është dënuar me një gjobë prej 15 mijë frangash, pasi klasifikohet shkelje lejimi i ndezjes së fishekzjarrëve nga tifozët, ndonëse ata ishin shqiptarë.
Ndërkaq, FSHF ka marrë edhe një gjobë tjetër prej 5 mijë frangash zvicerane për shkak të sjelljes së papërshtatshme të skuadrës.
Po të llogariten gjobat e marra që në ndeshjen e parë të luajtur në eliminatoret e Botërorit 2018, deri tani, Federata Shqiptare e Futbollit i detyrohet 215 mijë franga FIFA-s dhe vetëm një shifër prej 5 mijë frangash nuk ka të bëjë me sjelljet e tifozëve.