Humbja në tavolinë me Luksemburgun i kushton Kombëtares kuqezi 3 vende në renditjen e FIFA-s për muajin shtator. Nga vendi i 37-të, tashmë Shqipëria e sheh veten e pozicionuar e 40-ta në klasifikimin botëror. Fitorja 2-1 ndaj Maqedonisë në ndeshjen e parë kualifikuese të Botërorit 2018 shërbeu për të kufizuar dëmet, me rënien që rrezikonte të ishte edhe më e madhe.
FIFA vendosi që, Shqipëria ta humbiste 3-0 në tavolinë miqësoren me Luksemburgun, të luajtur më 29 mars dhe të fituar 2-0 në fushë nga kuqezinjtë, pasi në fushë u aktivizua edhe Ergys Kaçe, që në miqësoren e mëparshme me Austrinë ishte larguar nga fusha me karton të kuq.
Duke u rikthyer te renditja e FIFA-s, është Kosova ajo që shkruajti historinë. Pas dy ndeshjeve të para zyrtare të luajtura nga përfaqësuesja më e re në Europë, ku fitoi 2-0 miqësoren me Ishujt Faroe dhe barazoi 1-1 në Finlandë në sfidën e parë kualifikuese të Kupës së Botës, Kosova pozicionohet në vendin e 168-të. Skuadra e drejtuar nga trajneri Bunjaki ngjiti plot 22 vende, duke qenë e pesta që ka fituar më tepër pozicione gjatë këtij muaji në renditjen e FIFA-s.
Përsa i takon kreut, Argjentina mbetet në vendin e parë, e ndjekur nga Belgjika. Gjermania fitoi një vend, duke u klasifikuar e treta, ndërsa vendi i katërt ndahet nga Kolumbia dhe Brazili, me “seleçaon” që ka fituar 5 pozicione. Kili, Portugalia, Franca, Uruguaji dhe Uellsi plotësojnë 10 vendet e para, ndërsa Spanja dhe Italia, kundërshtare të kuqezinjve në grup, kanë humbur 3 pozicione secila dhe renditen përkatësisht në vendet 11 dhe 13 të klasifikimit botëror.