Filloi halli më i madh i deputetëve

Nga Tomorr Shasho

Deputeti Agush Ledhi,pasi u kthye nga darka e madhe organizuar në Pallatin Qeveritar,u shtri në krevat. Vendosi kokën mbi jastëkun e butë dhe filloi të mendonte për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
– Zgjedhjet po afrohen. Erdhi pranvera e vitit 2025-sës. Me Kryetarin e Partisë e kam grurë- si i thonë,-por më nevojitet dhe mbështetja e popullit,ata që votojnë. Besoj se do të jem në listën e të privilegjuarve të kryetarit. Ka mundësi edhe t’mos më vendosi e të jem në ato listat e hapura !? I fliste bashkëshortes. Por ajo i kishte kthyer kurrizin e bënte sikur flinte. I kishte ngelur qejfi,sepse nuk e kishte marrë në atë darkën madhështore. Duke u menduar se si do të vepronte, heshtja e së shoqes,por dhe gjumi po ia mbyllte sytë, ndaj vendosi për të shkuar të nesërmen para popullit të zonës, që përfaqëson. Do të kërkonte përsëri mbështetjen e tyre.

– Duhet marr besimi i popullit – i foli bashkëshortes duke ngrënë mëngjes,megjithëse ajo ende vazhdonte ta shikonte me bishtin e syrit dhe pa i kthyer asnjë përgjigje.
– Opozita po kërkon lista të hapura. Në rast se ky propozim pranohet nga mazhoranca,atëherë rizgjedhja ime mund të jetë shumë në rrezik.
Pa përfunduar së ngrëni mëngjesin dhe pa u shqetësuar për të shoqen,e cila vazhdonte të mos i fliste,sepse inati i mos pjesëmarrjes në darkën e shtruar nga Kryeministri vazhdonte ta torturonte, Agushi nxori bllokun,që mbante vazhdimisht në xhepin e këmishës dhe hodhi disa shënime,të cilat do t’i diskutonte me mbështetësit e tij. Shqetësim të madh kishte se si do ta priste populli, kurse zemërata e bashkëshortes nuk e shqetësonte aspak. Dengun e lekëve përpara dhe buzëqeshja vjen vetë- mendonte duke vendosur bllokun dhe stilolapsin në xhepin e këmishës. Stilolapsin e ruante si gjënë më të shtrenjtë. Ishte dhurata e parë nga Kryeministri. Po me se do të udhëtonte?

Rrugët në fshatra janë po ato të hapura që në kohën e kooperativave me aksionet e rinisë. Me makinën e tij jo. S’mund ta fuste në ato rrugë gropa-gropa. Me atë makinë luksoze do ngjallte ndoshta një pakënaqësi ndër fshatarët, të cilët tre vite më parë e kishin votuar nga që dukej një Agush i thjeshtë. Për këtë qellim mori makinën e Seferit, komshiut të tij, dhe atë si shofer personal. Makina i plotësonte mirë dy kushtet. Ishte e lartë për të ecur në ato rrugë,por dukej dhe e vjetër. Ky veprim,mendonte,do t’ia rriste më shumë besimin. Disa mbështetës e këshilluan që takimin ta organizonte me të gjithë banorët e zonës,por ai kundërshtoi i vendosur.

– Jo,jo ! Në asnjë mënyrë! Do t’i takoi zgjedhësit fshat më fshat që të bisedoj shtruar për të zgjidhur hallet e tyre. Do ta fillonte nga fshati Dëllinjas kufi me fshatin e tij,Lajthishtë. E dinte që në atë fshat ishin dy pleq të ditur e mund të mësonte shumë prej tyre. Ashtu veproi. Ata pak banorë, të gjithë moshë e vjetër dhe pesë a gjashtë të rinj, ishin mbledhur te oborri i ish- shkollës, së cilës si shenjë i kishin mbetur disa gurë të shkallëve. Ky vend përdorej si podium për të folur. Pas fjalimit të zjarrtë e “qarje” hallesh nga deputeti Agush, e mori fjalën njëri nga pleqtë. Deputeti nxori nga xhepi bllokun dhe stilolapsin,të cilin po e mbante në dorë,duke e rrotulluar midis gishtave, i gatshëm për të shënuar propozimet nga populli.
– Në radhë të parë – filloi ligjërimin xha Zeqiri,por shkurtimisht i thërrasin xha Zele- më gëzove se paskërke emrin dhe mbiemrin e deputetit,që kemi votuar para tri vitesh. Edhe ai kështu na foli…
– Po ai është, xha Zele, ai, Agushi nga Dëllinjasi- i foli djali,që ndodhej afër tij.

– Aaaaa… !! Pse ai është ?! Nuk e njoha,or bir! Rrofsh që më the! Kanë kaluar tre vjet që s’e kam parë..
Po nejse! Pleqëri hesapi! Gëzohem që qenke mirë, or djalë! Ç’është e vërteta, edhe paske ndryshuar!
Ktheu pak kokën dhe i shkeli syrin plakut tjetër, Beqos,i cili gjatë fjalës së deputetit gërvishte tokën me një ashkël druri,mbetur aty ndoshta që atë ditë,kur disa të rinj prishën shkollën,kurse në këtë moment po vështronte Zelen dhe vinte buzën në të qeshur. E dinte se shoku fjalët i kishte me shpoti ndaj deputetit.
– Së dyti,- vazhdoi xha Zelja,- na premtove se do të ndërtosh kanalin vaditës. Faleminderit!Nder më të madh nuk ka! I mbushi i gjori 30 vjet që në të s’ka rrjedhur asnjë pikë ujë. Ai është ndërtuar vite e vite të kaluara. Ka vaditur sa e sa hektarë tokë. Nuk ka nevojë të ndërtohet. Atij i duhen riparuar pllakat,që ia hoqën qysh në vitin 1992. Mos vallë edhe riparimet ju i quani ndërtime? Dëgjova këto ditë që do ndërtoni hekurudhën Durrës- Rrogozhinë. Edhe për këtë një falenderim të madh ! Por mos harroni se atë hekurudhë e kemi ndërtuar në vitet e para të çlirimit në1946-tën. Kemi qenë vullnetarë në atë hekurudhë.

E.., sa për shkollë,mos i harxhoni paratë! Bollë kini harxhuar. Me premtimet që kini dhënë,shkolla “është ndërtuar me 2 kate”,por siç e shohim janë vetëm ata gurët e shkallëve ku je zotrote. Ne nuk e duamë me kate, se aq fëmijë kemi. Janë,apo s’janë tre -katër kalamanër. Mos u lodhni shumë,sepse kini plot “halle”.Ndërtojeni,ashtu si ishte, një katëshe.
Dhe e fundit se do t’më mbetet merak. Pse nuk erdhe hipur në atë “pelën” e zezë? Më kanë thënë se ke blerë një “pelë”të zezë shumë të bukur. Mirë bëre, se ndoshta i prisheshin “patkonjtë” nga rruga e “asfaltuar”,për të cilën u betove se do ta asfaltonit. Po këtë “pelën” Kërre, ti e ke,apo ky shoku që ka ndezur cigaren?

Agushi s’po duronte dot ironinë e xha Zeles,ndaj nuk iu përgjigj, por mori celularin,e vuri te veshi dhe i tha Seferit:” Ikim! Më kërkojnë.” Pa u përshëndetur u largua.
– Po ky ç’pati?! – foli xha Bequa pa hequr vështrimin nga Zelja. -Hë,mo Zele, ç’pati!? As na përshëndeti?! Erdhi si këndes e na iku si pulë e lagur!
-Xha Beqo, tani u ka filluar halli më i madh zotërinjve deputet. Po afrohen zgjedhjet. Apo nuk janë dhe dy lloje listash. Ata që i voton kryetari i partisë dhe kanë numrat 1,2,3,4 e kanë të siguruar 100% karrigen e deputetit edhe për katër vjet të tjera.

– I voton,apo i emëron- ndërhyri këtë herë një i ri .
– Mere si ta dojë zemra. Ka rëndësi që qëndron përsëri deputet,- i ktheu përgjigje shoku që po fliste dhe vazhdoi:
-Por halli më i madh është për ata, që do votohen në popull,ashtu ballë për ballë. E ti kërkon të të përshëndesi! Pse këtu e ka mendjen ai, te ti e tek unë, te shkolla e te kanali? Të dy pleqtë po dëgjonin me vëmendje djalin. Në se tallej, apo kështu qënkërka kjo demokracia. Thonë se i zgjedh populli,por në fakt na i zgjedhkërka kryetari i partisë.

Artikulli paraprakPasojat ekonomike e sociale të plakjes së popullsisë, eksperti: Është rritur numri i grupmoshës mbi 65 vjeç, ç’pritet të ndodhë me të moshuarit brenda një dekade
Artikulli tjetërNjë Shqipëri pa komente…