Fillon dhe zgjedhjet e paparashikueshme

David Chaza

Konservatorët francezë u shfaqën të enjten të bashkuar në mbështetje të kandidatit të tyre Francois Fillon edhe pas skandaleve që kanë ngadalësuar fushatën e tij presidenciale. Sipas sondazheve të fundit, Fillon ka ende shanse të mira për të dalë fitimtar në garën e Elizesë për të djathtën franceze, në një kohë kur shumëkush mendonte se fushata e tij ishte e destinuar të dështonte.
Ai ka shërbyer si kryeministër i presidencës së Sarkozy, por të dy politikanët nuk kanë pasur asnjëherë marrëdhënie të mira, madje analistët thonë se ish-presidenti është duke shfaqur mbështetje publike për Fillon vetëm për shkak të akuzave se e kishte braktisur kandidatin e djathtë. Burime të brendshme të partisë thonë se Sarkozy ka në plan të rimarrë në dorë kontrollin e partisë për republikanët në rast se Fillon del nga gara në raundin e parë të zgjedhjeve të sotme.
Pas bisedës së tyre në shtëpinë e Sarkozy në Paris, ish-presidenti shoqëroi Fillon deri tek porta. Ai tha për reporterët se nuk mund të toleronte dot faktin që gara presidenciale do të zhvillohej ndërmjet Marine le Pen, lideres së Frontit Kombëtar dhe Luc Melenchon, një populist i të majtës ekstreme. “Franca po shihet nga e gjithë bota dhe këto dy kandidatura janë të kundërta dhe të papërshtatshme në botën moderne”.
Fillon tha ditën e enjte se e kishte anuluar intervistën e tij me “Le Monde” këtë javë, pasi gazeta kishte refuzuar kërkesën e tij për të mos u marrë në pyetje për akuzat e korrupsionit me të cilat është duke u përballur. “Nuk është media ajo që vendos ritmin e fushatës, ajo që vendos pyetjet, ajo që vendos fushatën”, tha Fillon. Kandidati i djathtë ka refuzuar gjithashtu një intervistë nga kanali “BFM”.
Bisedimet tepër të diskutuara dhe reklamuara ndërmjet Fillon dhe Sarkozy vijnë një ditë pas shfaqjes së çuditshme publike me rivalin e tij brenda partisë, Alain Juppe. Si ish-kryeministër, Juppe ishte caktuar fillimisht të zëvendësonte Fillon si kandidat gjatë muajit të kaluar, por mbështetja për të ishte shumë e dobët dhe kandidatura e tij e mendua si e pashpresë.
Juppe nga ana e tij u zotua se do të kërkonte gjerësisht mbështetje për Fillon, i cili është në rezultat shumë të ngushtë në sondazhe me kandidatët e tjerë, Emmanuel Macron, Le Pen dhe Melenchon. Nëse Fillon humb, ai do të akuzohet se ka sakrifikuar interesin e partisë për ambicien e tij personale. Përpara se të akuzohej se kishte përfituar para publike me gruan e tij britanike, ai ishte kandidati më i preferuar dhe republikanët mezi prisnin të rifitonin pushtetin pas pesë vitesh tepër të pasuksesshme të qeverisjes socialiste.
Fillon i ka ndarë republikanët duke i bërë thirrje katolikëve ultrakonservatorë, duke u zotuar se do ta pastrojë Francën nga ekstremistët islamistë, do të reduktojë emigracionin dhe do të mbrojë “trashëgiminë kristiane franceze”. Anëtarëve të tjerë me prirje më qendrore, përfshirë edhe Juppe, nuk i pëlqeu aspak premtimi i tij i fundjavës së kaluar për postet e kabinetit që do të ofronte për anëtarë të Sens Commun, një lëvizje tradicionale katolike që ka mbështetur fushatën e tij dhe ka sjellë mbështetës me autobusë për eventet zgjedhore në të gjithë Francën.
Fillon ka fituar mbështetje dhe respekt për faktin se e ka vazhduar me pasion dhe entuziazëm fushatën, pavarësisht skandalit dhe ka arritur me sukses të përmirësojë normën e tij të mbështetjes, duke dalë me rezultate të mira nëpër sondazhe. Ai ka arritur të fitojë disa pikë avantazh kundrejt liderëve si Macron dhe Le Pen, në një nga zgjedhjet më të paparashikueshme të dekadave të fundit. Nuk ka asnjë shenjë që të sugjerojë se votuesit që kanë braktisur Fillonin i janë bashkuar Le Penit dhe Macronit, kështu gjithçka është ende e hapur.
Në Calais, një port anijesh, i cili ka qenë prej kohësh i mbushur me emigrantë të dëshpëruar për të arritur në Britani, Fillon u zotua në fillim të kësaj jave se do të rimerrte në dorë kontrollin e kufijve francezë duke rinegociuar marrëveshjen Schengen dhe lëvizjen e lirë të popullsisë. Rivali i tij i majtë, Melenchon, i cili e përshkruan veten si Chavez i Francës, është mbështetur nga yje të Hollivudit si Pamela Anderson dhe Danny Glover. Në një peticion online në anglisht, francezët i kanë nxitur të mos votojnë Fillon me sloganin: “Mos përsërisni tragjedinë Hillary kundër Trump!”.

Politikani që shkatërroi ëndrrën e Sarkozy
Përgjatë shumicës së 35 viteve të tij në politikë, Francois Fillon ka shëtitur në korridoret më të lartë të pushtetit francez, shpesh duke u eklipsuar nga një figurë më e ndritur, më e vendosur dhe më e famshme. Ai nuk është marrë ndonjëherë në konsideratë si një politikan i aftë për të kryer detyrën e rëndësishme të presidentit.
Tepër punëtor, socialisht konservator dhe besnik, Fillon dukej gjithnjë i destinuar për të pasur rolin dytësor. Si anglofil që pëlqen çajin dhe makinat e garave, ai ka një lidhje të fortë shpirtërore me modelin ekonomik anglosakson të tregut të lirë. Ai ka pranuar se admiron Margaret Thatcher dhe nuk është parë ndonjëherë si kartë fituese në Francë.
I eklipsuar historikisht nga Nicolas Sarkozy, i cili e emëroi si kryeministrin e tij në vitin 2007 dhe më pas kaloi pesë vitet e ardhshme duke e trajtuar si nëpunësin e tij, Fillon u fut në garën primare të republikanëve si kandidati i tretë pas Allain Juppe dhe Nicolas Sarkozy. Kur emri i tij doli në sipërfaqe, sondazhet treguan se mund të fitonte.
Dukej sikur fushata e Fillon do të shkatërrohej plotësisht kur të përballej me ish-shefin e tij ambicioz e të pandalshëm, por 62-vjeçari kapi shpejt vëmendjen e publikut dhe e gjeti veten duke festuar fitoren e tij të jashtëzakonshme prej 44 për qind të votave. Ishte një nga ngjarjet më të papritura dhe të çuditshme në Francë që kur themeluesi i Frontit Kombëtar, Jean-Marie le Pen arriti të futej në raundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në vitin 2002.
Edhe sikur të shquhej si një person me vetëbesim të madh, Fillon nuk do ta kishte besuar se do të dilte kaq mirë që në raundin e parë të zgjedhjeve paraprake, duke lënë pas Juppen me 28 për qind të votave. Kampet rivale ishin po aq të habitur sa ai. Duke qenë se e kishin konsideruar Fillon si një kandidaturë “sa për numër”, nuk kishin shpenzuar shumë kohë dhe energji për të sulmuar politikat e tij.
Politikisht, Fillon është përshkruar si Gallic Thatcher, një konservator me “K” të madhe dhe katolik me “K” të vogël. Ai ka folur kundër traditës statike të Francës si një fans i betuar i politikave ekonomike neoliberale, i cili beson shumë tek “autoriteti shtetëror”. “Unë qëndroj krenar pranë etiketës time të liberalit dhe jam thjesht një pragmatist”, ka thënë ai. Fillon ka dalë hapur në kundërshtim të martesës ndërmjet seksit të njëjtë dhe ligjeve të adoptimit, por ka thënë se nuk do t’i luftojë këto ligje dhe e ka përshkruar kolonializmin francez si një formë shkëmbimi kulturor.
Gjatë fushatës së tij i ka ndezur shpesh alarmet në Westminster për thirrjet që ka bërë për një riafrim të mundshëm me presidentin rus, Vladimir Putin për të zgjidhur çështjen e Sirisë. Kur e pyetën në fillim të fushatës nëse Franca do të bashkëpunonte ndonjëherë me Bashar al-Assadin e Sirisë për të luftuar Shtetin Islamik, ai ka thënë se Franca duhet të bashkohej me çdo forcë të mundshme, qoftë ajo demokratike ose jo.
Biri i një avokati pronvincial dhe një mësueseje anglishteje në një fshat perëndimor të Francës, Fillon është rritur me një edukim të rreptë katolik dhe ka thënë se ka dashur të bëhej një gazetar dhe të udhëtonte nëpër botë. Por përfundoi duke studiuar për drejtësi dhe u bë asistent paralamentar i anëtarit të Parlamentit të zonës. Fillon u zgjodh si anëtar i asamblesë kombëtare në vitin 1981 kur ishte vetëm 27 vjeç.
Një vit më parë ai ishte martuar në kishën 17 shekullore Shën Bartholome në qytezën e Llanover. Gruaja e tij, e cila ka mundësi të bëhet Zonja e Parë e Francës, edhe pse ky titull nuk ekziston zyrtarisht, quhet Penelope Kathryn Clarke dhe ka lindur në Wells të Britanisë së Madhe.
Çifti është njohur kur Penny, siç e thërrasin miqtë e saj, kaloi vitin e fundit të shkollës për gjuhën frënge dhe gjermane si asistent mësuese në një shkollë në Le Mans. U rikthye për të mbaruar studimet në Universitetin e Bristolit dhe pasi u diplomua, çifti u martua menjëherë. Familja Fillon ka pesë fëmijë dhe jetojnë në një kështjellë të shekullit XII afër vendlindjes së tij Sarthe. Një fakt akoma më pak i njohur është se motra e vogël e Penny-t, Jane, është e martuar me vëllain e vogël të Fillon, Philippe.
“Im atë ishte shumë i lumtur që u martova me një djalë francez dhe kur motra ime bëri të njëjtën gjë, u kënaq akoma më shumë”, tha ajo gjatë një interviste në vitin 2007 pasi bashkëshorti i saj ishte emëruar kryeministër i Francës. Çifti kanë qenë gjithmonë shumë privat dhe e kanë mbrojtur me këmbëngulje privatësinë e familjes së tij, madje Penny thotë se i pëlqen më shumë jeta në qytezë të vogël me fëmijët që luajnë në oborr, krahasuar me jetën mondane të Parisit.
Si një grua tepër e rezervuar dhe e tërhequr nga jeta publike, Penny është përshkruar shpesh si “anti Carla Bruni”, tërësisht karakter i kundërt me gruan supermodele dhe këngëtare të Sarkozy-së. Në të njëjtën intervistë të vitit 2007, ajo: “Njerëzit më pyesin se cili është roli im, por unë nuk e kam një të tillë. Kur të kalojë kjo javë e inaugurimit gjithçka do të rikthehet në ritmin e mëparshëm për mua dhe të vazhdoj të njëjtën jetë që kisha. Nuk më njohin në rrugë dhe shpresoj të jetë e njëjta gjë edhe më pas. Kjo do të ishte e vështirë për mua. Në fakt, duke qenë se bashkëshortin tim e njohin të gjithë, ndonjëherë eci në anën tjetër të rrugës, gjë që nuk më bën të dukem shumë mirë”.
Në një intervistë të kohëve të fundit, vajza e madhe e Fillon, Marie, e përshkroi babain e saj si një person që i pëlqen shumë të merret me gjërat e shtëpisë, të rregullojë pajisjet elektrike dhe gjëra të tjera. Ajo kujtoi një rast kur mësuesja e kopshtit të vëllait të saj të vogël e kishte pyetur se çfarë pune bënte i ati – atëherë kryeministër i Francës – dhe ai i ishte përgjigjur: “Babai im rregullon kompjuterët”.
Penny Fillon thotë se bashkëshorti i saj është i vendosur, por ndryshe nga shumica e politikanëve të tjerë, ai nuk ka instinktin e fitores me çdo kusht, shpesh edhe në kurriz të të tjerëve. “Ai ka ruajtur ndershmërinë si virtytin e tij më të çmuar, gjë që është tepër e mirë për një qenie njerëzore, por ndoshta jo aq e mirë për jetën e tij politike”. Nëse nuk e ka pasur instinktin fitues më parë, ndoshta tani e ka krijuar. Pasi ka “masakruar” një figurë aq të rëndësishme të jetës politike franceze si Sarkozy për t’ju afruar sa më shumë ambicieve të tij presidenciale, ndoshta nuk do ta ketë aq të vështirë të mposhtë sot kandidatët e tjerë që kërkojnë të ngjiten në krye të Elizesë.

Përgatiti:
KLARITA BAJRAKTARI

Exit mobile version