Ditën e djeshme, në media rrodhën disa nga debatet e bëra në grupin e deputetëve Berisha-Bardhi, për çështjen e dërgimit në Gjykatën Kushtetuese të marrëveshjes Rama-Meloni. Ajo që ra në sy ishte zbardhja e një debati mes deputetetëve Tritan Shehut dhe Xhelal Mziut, pasi i pari nuk pranonte të firmoste për dërgimin e marrëveshjes në kushtetuese duke deklaruar se njeh si autoritet vetëm Sali Berishën.
Zbardhja e këtyre debateve në një mbledhje me dyer të mbyllura duket se ka revoltuar keq Tritan Shehun, i cili ka reaguar me fjalë të ashpra ndaj “skuthave” të Gazment Bardhit që e kanë përgjuar dhe hedhur debatin në medie.
Reagim i deputetit të PD, Tritan Shehu
Lexoj në media disa “regjistrime” tipike për ish-sigurimsat e dikurshëm, të nxjerra këto pjesë-pjesë mbi fjalët e mia, pa dijeninë time, në mbledhjen e Grupit Parlamentar.
Dhe si çdo skuth, që bën këtë ndyrësi në fshehtësi, duke përfituar nga diskutimet e lira, shkëmbimet kolegjiale të mendimeve, siç duhet të jetë një mbledhje e tillë… publikon diçka, pa guxuar të vendosë emrin tij si autorësi, as pseudonimin.
Publikon ashtu si i intereson, copa të një diskutimi të lirë, të gjatë, fragmente të asaj që bisedohen midis kolegëve e të dala këto shpesh jashtë kontestit, me një keqdashje primitive kjo, si burracak, për të denigruar, por dhe për t’i dhënë vetes atë që nuk ka, nëpërmjet “fjalimeve patetike” të parapërgatitura në disa skuta.
Tipike këto metoda për brumbujt frikacakë, që janë mësuar vetëm të zvarriten dhe që nga balta ku janë zhytur kërkojnë të pickojnë më lart…
Unë, vlerësimet e mia negative për atë marrëveshje mbi refugjatët i kam bërë publike, që orët e para të publikimit të saj e në vazhdimësi, në mënyrë konstante.
Ashtu si në vazhdimësi, në vite kam dhënë e jap vlerësimet e mia me superlativa për Italinë mike, edhe si ish-Ministër i Jashtëm kjo, gjë që nuk më ka penguar aspak ta quaj publikisht krejt të gabuar atë marrëveshje.
Këto qëndrime ia kam transmetuar personalisht edhe disa institucioneve e kolegëve të nderuar italianë dhe këtu qendroj, qartësisht e me transparencë!
Por fatkeqësisht qenkemi të detyruar të bashkëjetojmë edhe me skutha.
Pa identitet këta, sepse dhe përballe identitetit tremben e zhyten në pluhur!