Fillon ndërtimi i zonës së re urbane në veri të Mitrovicës

Në pjesën veriore të Mitrovicës kanë filluar punimet në kuadër të konstruksionit të urës mbi lumin Ibër dhe hapësirës përreth.
Punimet e reja, pasuan rrënimin e murit në këtë pjesë, i cili ishte ndërtuar ilegalisht nga autoritetet lokale të Mitrovicës Veriore. Më pas, sipas një marrëveshjeje ndërmjet Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në kuadër të qeverisë së Kosovës dhe kryetarit të komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiç, ai mur ishte rrënuar.
Konstruksioni i ri përbën një ndërtim betoni prej 53 metra të gjatë, kurse lartësia do të jetë nga 40 deri në 70 centimetra. Ky konstruksion, sipas autoriteteve në Prishtinë, do të shërbejë për mbjelljen e luleve.
“Ashtu siç është arritur marrëveshja më 4 shkurt, sot fillojmë punimet për ndërtimin e konstruksionit të ri”, ka thënë kryetari i komunës veriore të Mitrovicës, Goran Rakiç, i cili ka ndjekur nga afër punimet.
Ai nuk ka mundur ta parashikojë se sa kohë do të zgjasin punimet, por është shprehur i bindur se kësaj radhe do të ecet përpara me projektin për rivitalizimin e urës mbi lumin Ibër.
Në bazë të marrëveshjes së Brukselit, të arritur në dialogun ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, parashihet që në kuadër të rivitalizimit të urës mbi lumin Ibër dhe hapësirës përreth të mënjanohen të gjitha barrikadat dhe të krijohet hapësirë për lëvizje të lirë në drejtim të veriut dhe jugut të Mitrovicës, si për njerëz ashtu edhe makina.

Artikulli paraprakEmërohen 19 gjykatës ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës
Artikulli tjetërBallkanizimi i Evropës