Finalet, Madridi “parakalon” Milanon

Milano do të jetë arena e përballjes mes Realit e Atletikos së Madridit në finalen e Ligës së Kampioneve. Ky ishte verdikti i dalë nga ndeshjet gjysmëfinale të kësaj mesjave, duke bërë që Madridi të bëhet kryeqyteti i Evropës përsa i përket këtij evenimenti. Ndeshja e 28 majit do të jetë finalja e 17 për kryeqytetin spanjoll (14 për Realin e 3 për Atletikon), që në këtë pikë parakalon pikërisht Milanon, që është ndalur në 16 të tilla (11 finale të Milanit e 5 të Interit).
Sfida e “San Siros” do të jetë një përsëritje e finales së 2 viteve më parë në Lisbonë, kur Reali i Madridit fitoi titullin e tij të 10 evropian për klube, duke mundur Atletikon në një ndeshje dramatike pas kohës shtesë. Fati deshi t’i japë këtë vit skuadrës së Simeones mundësinë e hakmarrjes ndaj “Los Blancos” dhe për të bërë realitet ëndrrën e madhe evropiane.
Nuk është hera e parë në historinë e Ligës së Kampioneve që një skuadre i jepet mundësia që të marrë revanshin ndaj një tjetre, si në rastin e Atletikos. Në këtë rast ajo që të vjen në mendje është historia e Milanit, që në vitin 2005 humbi ndaj Liverpulit në mënyrë dramatike me penallti. Pas 2 sezonesh, në Athinë, kuqezinjtë fituan titullin e tyre të 7 në kontinent, pasi mposhtën “The Reds” 2-0.
Kjo është hera e tretë që në finalen e Ligës së Kampioneve janë 2 skuadra spanjolle dhe në të treja rastet Reali ka qenë prezent. Në dy herët e mëparshme (2000 dhe 2014, ndaj Valencias e Atletikos), skuadra merenges ka dalë e fituar. Në të njëjtën kohë, Spanja barazon Italinë përsa i përket numrit të finaleve të Champions të luajtura, 27 të tilla.
Një finale e tëra spanjolle në UEFA Champions League. Reali i Madridit do të përballet me Atletikon në finalen e Milanos, pasi mundi 1-0 në ndeshjen e kthimit Manchester City-n. Një sukses i merituar për ekipin e Zidane që vazhdon rrugën drejt trofeut të 11-të falë një goli të Bale, që u ndihmua dhe nga një devijim i Fernandos. Reali kishte në këtë sfidë dhe shërbimet e Ronaldos që arriti të riaftësohet për sfidën e kthimit dhe pse në fakt nuk mundi dot të shënojë për të thyer rekordin e golave, që mbahet po nga vetë ai në këtë kompeticion.
Kalimi në finale ishte i merituar për Realin që dominoi ndeshjen në pjesën më të madhe të saj përballë një City pragmatist. Gjithsesi dhe anglezët patën një mundësi të mirë për të barazuar me Fernandinho në minutën e 44-të, me topin që u përplas në shtyllë. Te traversa u ndal dhe Bale në minutën e 66-të. Megjithatë mungesa e fatit në këtë rast nuk ndikoi në rezultatin përfundimtar, pasi në finale shkoi Reali, duke përsëritur sfidën e Lisbonës së dy vjetëve më parë, kur në “Da Luz” luajtën përballë njëri-tjetrit, pikërisht Real dhe Atletiko.

Exit mobile version