Është Argjentina skuadra e parë finaliste e Copa America Centenario. Falë treshes Higuain-Mesi-Lavezzi, La Selecion shkërmoqi organizatorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës me një 0-4 të pastër në gjysmëfinale, duke u kualifikuar për herë të 27-të në histori në finalen e këtij kompeticioni. Në NRG Stadiumit të Houstonit në Texas, Argjentina e Tata Martinos u shfaq shumë më lart se, amerikanët e Jurgen Klinsmann, duke mos e vendosur asnjëherë në diskutim fitoren. Vetëm 3 minuta i mjaftuan përfaqësueses Albiceleste për të zhbllokuar shifrat. Një lëvizje e zgjuar e Ezequiel Lavezzit nxorri jashtë loje mbrojtjen vendase me këtë të fundit që me kokë e kaloi topin sipër portierit Guzan.
Nuk mund të qëndronte pa lenë shenjën e tij në këtë ndeshje Lionel Mesi. Në minutën e 32-të, ylli i Barcelonës ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje standarte nga më shumë se 25 metra, duke e dërguar topin aty ku portieri Guzan e kishte të pamundur të mbërrinte. 0-2 për Argjentinën, me Mesin që realizoi golin e tij të 5-të në Copa America Centenario dhe të 55-in me fanellën e La Selecion, duke lënë pas sulmuesin legjendar Gabriel Batistuta. Një finalizim që e shndërroi Leon në golashënuesin më të mirë të gjithë historisë së kombëtares argjentinase. Edhe pjesa e dytë nuk kishte aspak histori. Kur kishin kaluar vetëm 5 minuta nga starti i saj, Gonzalo Higuain realizoi edhe golin e tretë, duke hipotekuar fitoren e miqëve.
Por sulmuesi i Napoli nuk u mjaftua me kaq dhe në minutën e 86-të i shërbyer nga Mesi shënoi edhe të 4-in. Kjo është finalja e dytë radhazi për Argjentinën në Kupën e Amerikës, që nëse arrin ta fitojë do të barazonte Uruguain që kryeson me 15 trofe. Ndoshta ky është viti i duhur që Lionel Mesi të fitojë një trofe të rëndësishëm me kombëtaren e tij, por për Argjentinën triumfi në edicionin special për 100-vjetorin e Kupës së Amerikës nuk do të jetë i lehtë, duke marrë parasysh faktin se kundërshtari i La Selecion në finale do të jetë një mes Kilit dhe Kolumbisë.