Finalja e Europa League, rritet çmimi i biletave

Finalja e Europa League po tërheq vëmendjen e tifozëve nga mbarë bota. Në 18 maj, në St.Jacob Park të Bazelit, Sevilla dhe Liverpool do të vihen përballë njëra-tjetrës për të diskutuar këtë trofe shumë të rëndësishëm europian. Sevilla është aktualisht skuadra kampione në fuqi e këtij turneu dhe ka rekordin me 4 trofe të fituar. Nëse spanjollët do të mposhtin Liverpoolin, atëherë ata do ta fitojnë Europa League për të tretin vit radhazi.
Në krahun tjetër, Liverpool ka fituar 3 herë këtë turne, e fundit ishte në vitin 2001. Nëse në mesjavën e ardhshme “të kuqtë” e drejtuar nga Jurgen Klopp do të triumfojnë, atëherë do të barazojë rekordin e Sevillas me 4 tituj.
Fakti që një skuadër angleze është në finalen e një turneu europian ka sjellë një rritje të shitjeve të biletave të finales, e dhënë kjo që konfirmohet nga portali ticketbis.net. duke bërë analizën e shifrave të publikuara për shitjet e biletave që nga viti 2012, rezulton se tifozë nga të paktën 32 shtete kanë arritur të sigurojnë një të tillë për finalen e këtij sezoni dhe shumica e tyre janë blerë nga tifozë britanikë, gjermanë e amerikanë.
Por jo vetëm kaq, sipas kësaj platforme për finalen e këtij viti është rritur edhe çmimi i biletave me 158 për qind në krahasim me mesataren e 4 viteve të fundit, gjë që tregon rritjen e popullaritetit të Europa League. Për finalen e këtij viti, tifozët kanë paguar mesatarisht 550 paund për biletë.

Exit mobile version