Finalja e parakohshme

Është hedhur shorti për ndeshjet çerekfinale të Ligës së Kampionëve, ku janë caktuar çifte vërtet interesante. Finalja e Champions League për edicionin 2016/17 do të përsëritet në çerekfinale, Juventusi do të përballet me Real Madridin. “Zonja e Vjetër” e zhvillon ndeshjen e parë në shtëpi, ndërsa “Los Blancos” sfidën kthyese në “Santiago Bernabeu”. Zëvendëspresidenti i Juventusit, Pavel Nedved, ka komentuar shortin e çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve, ku bardhezinjtë do të përballen dy herë me Real Madridin. Sikurse shihet, finalja e edicionit të kaluar e këtij kompeticioni do të përsëritet tashmë më herët, në ¼ finale. “Do të jenë dy ndeshje të mira. E dimë që përballë do të kemi Realin, i cili është një ekip shumë i mirë, Pa diskutim, do të jenë ndeshje të vështira, por do të përpiqemi të jemi Juventusi. Në ‘Cardiff’ ishte një ndeshje e thatë dhe ne u mbajtëm vetëm 45 minuta. Këtë herë është ndryshe. Kemi Benatia dhe Pjaniç të skualifikuar për ndeshjen e parë dhe nuk do të jetë e lehtë, por gjithmonë e fillojmë nga 0-0. Tashmë nuk kemi vetëm një ndeshje të vetme, por dy shanse për t’u kualifikuar ndaj madrilenëve. Dybala? Ai ka për të bërë historinë e Juventusit. Mendoj se, gjithashtu, mund të bëjë historinë e futbollit botëror. E kam parë shumë profesional dhe kjo më jep shpresë. Ai mund të përmirësohet ende”, tha Nedved për “Premium Sport”.

Juventus dhe Real Madrid është një prej kryendeshjeve të fazës çerekfinale të Ligës së Kampionëve, së bashku me super sfidën Liverpool–Manchester City. Lajmi i keq për “Zonjën e Vjetër” është mungesa e dy lojtarëve kyç në takimin e parë, për shkak të suspendimeve, Miralem Pjaniç dhe Medhi Benatia, ata do të jenë gati për sfidën e kthimit në “Santiago Bernabeu”. Real Madridi do të përballet me Juventusin në çerekfinale të Ligës së Kampionëve, por klubi italian do të ketë dy mungesa shumë të ndjeshme gjatë ndeshjes së parë. Ata nuk mund të jenë në stadiumin e Juventusit. As Medhi Benatia, qendërmbrojtësi maroken, i cili ka bërë një gjurmë në formacionin fillestar të Massimiliano Allegrit, pas largimit të Bonuçit, as Miralem Pjaniç, truri i vërtetë i ekipit bardhezi në mesfushë. Të dy do të humbasin ndeshjen e parë me “Los Blancos”, pasi në kthimin e 1/8 finale ndaj Tottenham e panë kartonin e verdhë, çka i mbylli ciklet e tyre përkatëse. Përveç këtyre dy “humbjeve”, Juve e ka të nevojshme të marrë në konsideratë edhe tre futbollistë, që janë për momentin në infermieri. Gjermani qendror, Höwedes, mund të kthehet në ditët e ardhshme, ndërsa anësori kolumbian, Juan Cuadrado, pritet të rishfaqet në fillim të prillit për shkak të pubalgjisë, kështu që ndoshta nuk do të jetë 100 për qind deri atëherë. Së fundi, Federico Bernardeschi nuk ka asnjë datë rikthimi, për shkak të dëmtimit të gjurit. “Zonja e Vjetër” e zhvillon ndeshjen e parë në shtëpi më 3 prill, ndërsa sfida kthyese zhvillohet në Madrid në “Santiago Bernabeu” më 11 prill.

Artikulli paraprakJurgen Klopp është “macja e zezë” për Pep Guardiolën!
Artikulli tjetërUshqimet me përmbajtje të madhe sheqeri sjellin dëme në shëndet