Finalja e parakohshme

Emilio Butragueño, drejtor i marrëdhënieve institucionale te Real Madridi, ofroi përshtypjet e tij për shortin që u hodh sot në Nyon të Zvicrës, ku të tijtë mësuan kundërshtarin në 1/8 finale të këtij kompeticioni, i cili është PSG: “Ky ballafaqim mund të jetë, mund të kishte qenë finalja e Champions-it për potencialin e të dyja ekipeve. Sidoqoftë, ky është shorti, fati, gjithashtu, luan rolin e vet në kësi rastesh. Ne duhet ta kalojmë me sukses raundin e radhës në Champions, por besojmë se është pak herët kjo përplasje, sepse të dy jemi kandidatë për titullin. Rritja e PSG-së? Çdo verë ka afruar lojtarë të nivelit të madh dhe sa i fortë është e ka treguar në fazën e grupeve, ku u paraqit thuajse në mënyrë të përsosur.
PSG-ja ka potencial të madh në përbërje, me Neymar dhe Mbappé, që kanë fituar shumë. Do të luhen dy ndeshje finale. Për publikun do të jetë një duel emocionues. Mbappé dhe Neymar në “Bernabeu”? Ata janë dy lojtarë, që po kontribuojnë shumë te skuadra e tyre. Mbappé është shumë i ri, ndërsa Neymar është një lojtar shumë i shenjtëruar, ndaj do të jetë e rrezikshme ndaj tyre. Natyrisht, ne duhet të luajmë në nivelin tonë. Mos harroni se jemi ekipi që e ka fituar Ligën e Kampionëve dy herë rresht dhe e di se duhen përgatitur e përballur ky lloj kompeticioni. Shpresojmë të rikuperojmë në kohë lojtarët e dëmtuar”.
Unai Emery ka thënë fjalët e para pas shortit, kur ka mësuar se do të “përplasë brirët” me kampionët e Europës në fuqi. “Nuk mendoj se është shorti më i keq i mundshëm. Eshtë një mundësi e mirë, sepse tashmë e kemi një nivel për të luajtur kundër Real Madridit. Nëse doni të bëni diçka të rëndësishme në Champions, atëherë ju duhet të luani kundër Real Madridit. Për të mposhtur “Los Blancos”, ne do të duhet të luajmë me personalitetin dhe talentin tonë, sepse loja do të jetë qendra e botës së futbollit. E përsëris, skuadra ime është e gatshme ta luajë këtë raund. Ne do të punojmë që gjërat të jenë të përsosura kur të vijë dita e ndeshjeve”, u shpreh Emery.
Xabi Alonso ishte autorizuar për të tërhequr goglat e shortit të 1/8 finale të Champions-it, ku Real Madridi është “çiftëzuar” me PSG, Barcelona me Chelsea dhe Sevilla me Manchester United, sa u takon skuadrave spanjolle, që vijojnë ende garën në këtë kompeticion. “Dora ime vendosi Real Madridin përballë PSG-së. Dua të them se Realit i pëlqejnë sfidat e mëdha. Parashikoj një ballafaqim emocionues me PSG-në, sepse skuadra franceze ka një projekt të ri. Ambiciet e Real Madridit në Ligën e Kampionëve dihen; dëshiron ta fitojë titullin, sepse kjo është një garë e madhe. Favorit? Është duel i komplikuar, nuk mund të përmendësh të referuar në këtë përplasje. Natyrisht, unë do të bëj tifoz për Real Madridin. Chelsea-Barça? Për Barcelonën është një rival i komplikuar. Katalanasit duhet ta dinë shumë mirë se si Conte e ka formuar ekipin sezonin e kaluar, i cili është ruajtur edhe këtë vit. Sevilla-Manchester United? E shoh si një ndeshje shumë interesante, sepse për “Djajtë e Kuq” është një vit i rëndësishëm. Pasi e kaluan duke fituar “Europa League”, tani duan të bëjnë mirë edhe në Ligën e Kampionëve. Mos harroni se edhe Sevilla do të dëshirojë të bëjë mirë dhe për këtë nuk mund ta pengojë askush”, u shpreh Xabi Alonso.

Exit mobile version