Ministria e Financave deklaron se dhjetëra rastet e evidentuara të punonjësve të administratës të përfshirë në fushatë zgjedhore, dhe që me veprimet apo mosveprimet e tyre, kanë cënuar standardin e zgjedhjeve të lira, janë proceduar ligjërisht dhe po monitorohen me rreptësi. Në një deklaratë për mediat, Ministria e Financave thotë se po mbikëqyr maksimalisht tentativat apo nxitjen që u bëhet punonjësve të tjerë për t’u bërë pjesë e fushatës zgjedhore. Ministria e Financave thekson se çdo përbaltje e kësaj iniciativë, nuk është gjë tjetër veçse e qëllimtë, inkompetente dhe nxitëse e drejtpërdrejtë e administratës për të marrë pjesë në fushatën elektorale. Ministria e Financave i bën thirrje administratës që të zbatojë me korrektësi maksimale të gjitha rregullat e parashikuara nga VKM Nr. 473, dhe çdo urdhër tjetër të dalë në funksion të tij, dhe të mos bjerë pre e nxitjeve publike për t’u përfshirë në fushatën zgjedhore, pasi do të përballen me ndëshkimin më të rreptë që parashikon ligji.